Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është shtruar në spital që nga e hëna për një problem mjekësor që nuk është bërë publik tha Pentagoni të premten vonë, pa dhënë detaje se për çfarë po merrte trajtim apo pse e mbajti të fshehtë qëndrimin e tij në spital gjatë gjithë javës.
70 vjeçari Austin, është personi i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë e ushtrisë amerikane pas Presidentit Joe Biden që është komandanti i përgjithshëm dhe posti i tij kërkon që të jetë gjithë kohës në dispozicion për t’iu përgjigjur çdo lloj krize të sigurisë kombëtare.
Pentagoni nuk tha nëse zoti Austin ishte në ndonjë moment i pavetëdijshëm përpara ose pasi u shtrua në spital në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed më 1 janar, apo se çfarë komptencash të tijat po i ushtronte zëvendësja e tij, Kathleen Hicks gjatë kësaj kohe.
Pentagoni tha se Sekretari Austin pati “ndërlikime pas një procedure mjekësore të kohëve të fundit”, por nuk pranoi të thoshte se për çfarë procedure dhe ndërlikimesh bëhej fjalë.
“Ai po e merr veten mirë dhe do të rifillojë plotësisht kryerjen e detyrave të postit sot,” tha në një deklaratë të premten gjeneralmajori i Forcave Ajrore Patrick Ryder, zëdhënësi i lartë i Pentagonit.
Vetëm një ditë më herët, zëdhënësi Ryder mbajti një konferencë shtypi që të jepte idenë e normalitetit në Pentagon, duke paraqitur ngushëllimet e zotit Austin për aleatin e Japonisë pas tërmetit të Vitit të Ri, për shembull.
Por java e kaluar nuk ka qenë normale për Pentagonin, ndërsa trupat amerikane në Lindjen e Mesme përballen me pasojat rajonale nga lufta Izrael-Hamas dhe ndërmorën një sulm në Bagdad të enjten.
Shoqata e gazetarëve të Pentagonit, në një letër drejtuar zyrtarëve të Pentagonit, kritikoi mbajtjen të fshehtë të lajmit nga ana e Departamentit të Mbrojtjes, duke thënë se Sekretari Austin ishte një figurë publike që në një situatë të tillë është i privuar nga privatësia për një trajtim mjekësor.
“Në një kohë kur ka kërcënime në rritje për anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme dhe SHBA po luan role kyçe të sigurisë kombëtare në luftrat në Izrael dhe Ukrainë, është veçanërisht e rëndësishme që publiku amerikan të informohet për gjendjen shëndetësore. dhe aftësinë vendimmarrëse të udhëheqësit të lartë të mbrojtjes”, thuhej në letër.
Shoqata vë në dukje se edhe presidentët amerikanë njoftojnë kur u duhet të delegojnë kompetenca për shkak të procedurave mjekësore.
Mënyra se si Departamenti i Mbrojtjes e trajtoi shtrimin në spital të Sekretarit Austin është në kontrast me mënyrën sesi e trajtoi Departamenti i Shtetit një operacion për prostatën për Sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Colin Powell, më 15 dhjetor 2003.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në atë kohë lëshoi një deklaratë në mëngjes duke bërë publike se zoti Powell, një gjeneral me katër yje në pension, po i nënshtrohej një operacioni në Qendrën Mjekësore të Ushtrisë Walter Reed dhe do të qëndronte atje për disa ditë.
Ai gjithashtu njoftoi se zoti Powell do të punonte me një orar të reduktuar derisa të shërohej nga operacioni. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në atë kohë, Richard Boucher, më pas dha detaje mbi operacionin e zotit Powell në konferencën e tij të përditshme.
Zoti Boucher, i kontaktuar nga agjencia Reuters të premten, tha se pyetja kryesore lidhur me njoftimin publik ishte nëse zoti Austin kishte qenë nën anestezi apo i pavetëdijshëm në ndonjë moment.
“A ka pasur ndonjë moment në proces ku ai nuk mund të funksiononte si sekretar i mbrojtjes? Nëse mund të lëvizësh dhe vazhdon të marrësh informacion dhe i ke ndihmësit aty pranë dhe mund të marrësh vendime menjëherë … atëherë ndoshta nuk ka nevojë publike për t’u njoftuar”, tha ai.
Pentagoni ende nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Sekretari Austin ishte në ndonjë moment i pavetëdijshëm.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...