Pentagoni me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

07:41 | 2 Prill 2022
L G

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.

Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.

“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.

Më 30 mars, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, biseduan për ndihmën shtesë për ushtrinë ukrainase.

Në mesin e muajit mars, Kongresi amerikan kishte miratuar një projektligj ku përfshiheshin 13.6 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën dhe për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.

Pas vendimit të Kongresit, presidenti Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh.

Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, është marrë nga furnizimet e ushtrisë amerikane.

Ndërkaq, ndihma e njoftuar nga Pentagoni, në vlerë prej 300 milionë dollarësh, do të realizohet përmes kontratave për pajisje ushtarake me partnerët në industrinë e mbrojtjes.

Në pakon e re të ndihmës janë përfshirë edhe dronë të llojit Switchblade.

Këta dronë, që njihen edhe si “dronë kamikazë”, mund të drejtohen nga një operator për të gjetur objektivin dhe kur ta gjejnë atë, nisen drejt objektivit dhe shpërthejnë sapo të kenë kontakt me të.

Kirby shtoi se SHBA-ja “do të vazhdojë punën me aleatët dhe partnerët tanë për të identifikuar dhe ofruar për ukrainasit aftësi shtesë”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, përveç SHBA-së, edhe shtete tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës që të përballet me agresionin rus./rel

Të ngjashme