Peniani zotohet për çmontimin e qendrës së provave bërthamore

13:26 | 13 Maj 2018
Arbresh.info

Koreja e Veriut po merr masa për çmontimin e qendrës së provave bërthamore dhe do ta bëjë atë transparente në ceremoninë e fillimit të procesit. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet se ceremonia është planifikuar të mbahet midis datave 23 dhe 25 maj, në varësi të kushteve të motit.

Deklarata e cila u publikua përmes agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë së Veriut thekson se janë marrë teknike në vend për të siguruar një proces transparent të çmontimit, përcjell Telegrafi.

Demontimi i zonës përfshin shembjen e të gjitha tuneleve nëpërmjet eksplozivëve, heqjen e të gjitha objekteve të vëzhgimit, instituteve kërkimore dhe posteve të sigurisë.

Muajin e kaluar, Peniani njoftoi vendimin për pezullimin e të gjitha testeve raketore, si dhe mbylljen e një vendndodhjeje nga ku zhvilloheshin këto teste, në mënyrë që vendi të përqëndrohet tek ndërtimi ekonomik. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme