Pasuri e pashterueshme| Si mund të sekuestrohet “thesari” i Putinit

18:18 | 8 Prill 2022
S D

Vendimi i të dërguarit rus për ndryshimet klimatike, Anatoly Chubais, për të dhënë dorëheqjen dhe për t’u larguar nga Rusia, mund të jetë shumë domethënës. Largimi i Chubais mund të sjellë njëfarë rregulli në strategjinë e Perëndimit “KleptoCapture ”, e cila synon të ngrijë asetet e një duzinë oligarkësh rusë.

Chubais, që ishte drejtues i programit të madh të privatizimeve në Rusi nën udhëheqjen e presidentit Boris Yeltsin në vitet 1990, është një simbol i gjallë i mënyrës se si u shpërnda pasuria e këtij vendi. Po ashtu ai ishte një promovues i hershëm i Vladimir Putinit si pasardhës kompetent i Yelstin.

Vendosja e sanksioneve ndaj oligarkëve rusë duket në fakt një ide e mirë, por Chubais e di se KleptoCapture, në formën që është konceptuar aktualisht, është ndoshta më shumë “tym” sesa “zjarr”.

Disa nga oligarkët aktualë u pasuruan në vitet e Yeltsin, por pas disa përplasjesh me Putinin u detyruan të largohen nga Rusia, ose qëndruan duke iu bindur rregullave të tij, raporton abcnewsa.al.

Ata zotërojnë atë që Putini u lejon atyre të zotërojnë, për aq kohë sa qëndrojnë larg politikës, nuk i hapin probleme regjimit të tij dhe kanë një ndikim minimal.

Njerëzit e rrethit të brendshëm në Kremlin, janë spiunë të epokës sovjetike që kontrollojnë shumicën e mijëra kompanive që u privatizuan midis viteve 1992-1996. Në atë kohë, oligarkët që janë sot objekt i sanksioneve, ishin bankierë që i dhanë qeverisë ruse 800 milionë dollarë hua, të siguruara kryesisht nga aksionet që kishin në 12 kompani të mëdha të naftës dhe metaleve.

Kjo skemë synonte të ndihmonte Yelstin-in të mbyllte një deficit buxhetor dhe të shmangte hiperinflacionin përpara zgjedhjeve të vitit 1996. Në rast se qeveria nuk do t’i kthente kreditë menjëherë pas zgjedhjeve, atëherë huadhënësit mund të nxirrnin në ankand aksionet, duke e konsoliduar kështu privatizimin, pavarësisht se kush do të fitonte.

Edhe pse Yelstin u rizgjodh çuditërisht për një mandat tjetër, shteti sërish falimentoi, ndoshta edhe qëllimisht, për t’i shpërblyer bankierët për ndihmën e tyre. Aksionet që në atë kohë vlerësoheshin në 1.5-2 miliardë dollarë, u “shitën” tek huadhënësit në ankande kryesisht të manipuluara, duke shndërruar brenda natës disa financierë të rinj në moshë në oligarkë.

Si këshilltar i Chubais dhe ekipit të tij në atë kohë, “huatë në këmbim të aksioneve” do të rrisnin korrupsionin në procesin e privatizimit, dhe do të krijonin idenë se Yeltsin po pasuronte qëllimisht një grup të vogël manjatësh, duke ua shitur me një çmim shumë të lirë aksionet.

Më vonë vetë Chubais do ta pranonte se ajo skemë ishte një “kapitalizëm banditësh”, por i nevojshëm. Skemat e “huave në këmbim të aksioneve” fituan një rëndësi të madhe në historinë e privatizimeve në Rusi, duke lënë në hije privatizimin masiv të mijëra kompanive të tjera që mbikëqyreshin nga Chubais, raporton abcnews.al.

Por tragjedia e vërtetë për Rusinë, rezultoi të ishte promovimi i Putinit nga Chubais. Në vitin 1999, Yeltsin dha dorëheqjen para fundit të mandatit të tij të dytë, duke emëruar si pasardhës të tij Putinin, ish-kreun e Shërbimit Federal të Sigurisë, i cili gjatë kohës që ishte nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut kishte krijuar imazhin e një reformatori efikas.

Tregjet financiare e mbështetën gjerësisht zgjedhjen e Yeltsin, të cilën vetë Chubais e vlerësoi si “një vendim brilant, shumë të saktë dhe tejet të guximshëm”. Pasi u bë president, Putin premtoi se “liria e fjalës, e ndërgjegjes, liria e shtypit, e drejta e pronës private, të gjitha këto parime bazë të një shoqërie të qytetëruar do të mbrohen nga shteti”.

Në fakt ai i mbështeti reformat e tregut për një fare kohe, me kusht që oligarkët të qëndronin jashtë politikës. Por kur Mikhail Khodorkovsky – themeluesi i Menatep Bank, dhe më pas kreu i kompanisë së naftës Yukos nëpërmjet skemës së famshme sinjalizoi ambiciet e tij politike, ai u burgos për gati një dekadë.

Putin u kthye gjithashtu kundër Boris Berezovsky, një tjetër mik i Yeltsin, që mendohet se ka luajtur një rol kyç në bindjen e këtij të fundit për të zgjedhur Putin si pasues të tij. Dhe Putin dëboi nga Rusia Bill Browder, një investitor të suksesshëm amerikan në Moskë, që drejtonte kompani të mëdha ruse.

Sergei Magnitsky, u arrestua dhe vdiq në burg në vitin 2009. Që nga ajo kohë Browder i është përkushtuar drejtësisë në Magnitsky. Disa oligarkë rusë e krijuan pasurinë e tyre në mënyra të ngjashme me programin e privatizimit.

Disa të tjerë, si manjati i metaleve Oleg Deripaska, kanë qëndruar në Rusi, duke ushtruar një ndikim më të vogël, ndërsa po investojnë në prona jashtë vendit. Të tjerë, si bankierët Mikhail Fridman dhe Peter Aven, i ruajtën bizneset e tyre ruse, por ndoshta u detyruan që ta ndajnë pasurinë me Putinin dhe njerëzit e tij.

Që të tre kanë marrë pasaporta të huaja. Ata si Berezovsky, që kundërshtuan hapur Putinin, vdiqën në rrethana misterioze, ashtu si edhe kundërshtarët politikë aktivë si Boris Nemtsov, i cili u vra shumë pranë Kremlinit në vitin 2015.

Disa sipërmarrës që i ngritën bizneset e tyre nga e para, qenë aq largpamës sa t’i shisnin dhe të largoheshin nga Rusia kur Putin erdhi në pushtet. Vladimir Gusinsky themeloi NTV, kompaninë e parë mediatike të pavarur ruse. Por në vitin 2001 ia shiti Gazprom-it, kompanisë shtetërore të gazit, dhe emigroi me familjen e tij në Izrael.

Sot shumica e rusëve të pasur duket se ndajnë dëshirën për t’u integruar në Perëndim. Shumë prej tyre kanë bërë investime të mëdha në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, duke dhënë donacione për muzeume dhe institucione të tjera kulturore.

Por asnjë prej tyre nuk duket se ka ndikim, aq më pak kontroll, mbi Putinin.

Përkundrazi, ai përbën një kërcënim të vazhdueshëm për pasurinë dhe sigurinë e tyre. Në vend se t’i përçmojnë dhe sanksionojnë, udhëheqësit perëndimorë mund të fitojnë më shumë duke i bërë ata dhe Chubais të ndihen mjaftueshëm komodë për të ndarë çdo lloj informacioni se ku mund të gjenden realisht paratë e Putinit.

Daniel J.Arbess, drejtues i “Xerion Investments”, ka qenë këshilltar i Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Anatoli Chubais për programin e privatizimeve në Rusi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme