Google ADS

Pastiçierët krijojnë ndërtesat simbol të Nju Jorkut me biskotat e Krishtlindje

19:08 | 3 Dhjetor 2024
Q L

Përgatitja e shtëpive dekorative me biskotat tradicionale me xhinxher të Krishtlindjeve, të njohura si ‘gingerbread’, është një traditë që ndiqet në shumë vende të ndryshme të botës për këtë festë. Por, siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Raron Ranen, një muze në Nju Jork e ka çuar më përpara traditën duke përdorur biskotat e thjeshta për të krijuar disa prej objekteve simbol të Nju Jorkut.

Në këtë periudhë pushimesh, shkoni në Muzeun e Qytetit të Nju Jorkut dhe përhumbni në aromën e këndshme.

Brenda do të gjeni variante të ndërtesave ikonë të Nju Jorkut, të prodhuara me biskotat tradicionale me xhinxher të Krishtlindjes, në një konkurs për çmimin e dizajnimit dhe përgatitjes të mirë të tyre, në atë që njihet si “Konkursi i kulinarisë për Ndërtesat e Mëdha”.

“Hyra dhe ndjeva aromën e biskotave. Eshtë vërtet shumë këndshëm”, shprehet Mikhail Graham, vizitor në muze.

“Ndihet një aromë shumë e mire, shumë shumë e mire”, shprehet Olivia, një tjetër vizitore.

Sipas rregullave të konkursit, çdo prodhim duhet të jetë tërësisht i ngrënshëm dhe së paku 80 për qind e përbërjes të jetë me biskotat tradicionale.

“Kemi ndërtesat që janë simbol i Nju Jorkut që njerëzit do t’i njohin menjëherë, duke përfshirë Kullën e Lirisë dhe qendrën artistike Oculus, në Manhatan, brenda Qendrës Botërore të Tregëtisë. Kemi ndërtesën gjigande “Empire State Building” me gorrillën King Kong dhe njeriun merimangë Spider-Man që zvarriten lart. Këtë vjet çmimi shkoi për prodhimin me biskotat tradicionale të parkut argëtues “Wonder Wheel” në Coney Island në qytetin e Nju Jorkut”.

Megjithatë, jo të gjitha prodhimet janë të bazuara tek arkitektura. Pastiçierja Jewel Johnson u frymëzua nga një prej ushqimeve më ikonike të Nju Jorkut, pica.

“Përdora krem për të përgatitur salcën dhe krem tjetër për djathin. Dhe përdora një si rende djathi për të krijuar idenë e mocarelës”, tregon ai.

Vizitorët thonë se këto krijime po i bëjnë ata të ndjejnë aromën e festave.

“Mendoj se është fantastike, veçanërisht këtë periudhë të vitit, pasi më fut në atmosferën e festave. Pra, është shumë bukur të shohësh vepra të tilla artistike nga pastiçier kaq të mrekullueshëm”.

Ekspozita është e hapur deri më 12 janar, duke u ofruar vizitorëve një shans për të përjetuar magjinë dhe ëmbëlsinë e Nju Jorkut./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme