Të gjithë ministrat që ishin emëruar nga Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë në Austri kanë dhënë dorëheqjen, duke e futur qeverinë në një kaos të paparashikuar.
E gjithë kjo vjen pasi udhëheqësi i kësaj partie, Heinz-Christian Strache, i cili mbante postin e zv.kancelarit, u detyrua të dorëhiqej gjatë fundjavës, si pasojë e publikimit të një videoskandali. Strache ishte filmuar teksa propozonte të ofronte kontrata qeveritare për mbesën e një oligarku rus.
Mëngjesin e së hënës ai kishte kërcënuar se, nëse pas tij do të detyrohej të jepte dorëheqjen edhe ministri i Brendshëm Herbert Kickl, Partia e Lirisë do të tërhiqej nga koalicioni qeverisës. Kancelari Sebastian Kurz ishte ai që bëri thirrje gjatë fundjavës për shkarkimin e Kickl, duke thënë se ai duhej të mbante përgjegjësi për skandalin pasi ishte Sekretar i Përgjithshëm i partisë.
Skandali i korrupsionit doli në dritë të premten, kur pamje të regjistruara në vitin 2017 u publikuan në medien gjermane, që tregonin sesi Strache dhe një zyrtar tjetër i Partisë së Lirisë iu ofronin kontrata qeveritare asaj që dyshohet të jetë mbesa e një oligarku rus.
Strache dha menjëherë dorëheqjen ditën pasardhëse, ndërsa Kancelari Kurz, që udhëheq Partinë Popullore të qendrës së djathtë, tha se vendi duhej të zhvillonte zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare. Mes ministrave të dorëhequr janë ai i Jashtëm, ai i Mbrojtjes, ai i Transportit, si dhe ai i Çështjeve Sociale. Partia e Lirisë kishte zënë gati gjysmën e kabinetit qeveritar pas zgjedhjeve të fundit në Austri.
Videoskandali vjen në një moment tejet kritik për partinë në fjalë, pasi votuesit anembanë Bashkimit Europian do të votojnë në datat 23-26 maj për zgjedhjet e Parlamentit Europian, ku parashikohet që të forcohen pozitat e ekstremistëve të djathtë dhe eurodeputetëve të tjerë euroskeptikë./tch
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe