Washingtoni vazhdon të mbetet i përqendruar tek hapat që mund të ndërmarrë Kongresi, pasi raporti i redaktuar i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për hetimin e Rusisë u bë publik javën e kaluar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve janë të vendosur që të sigurojnë një kopje të plotë, të paredaktuar të dokumentit, i cili nuk gjeti bashkëpunim të qëllimshëm mes rrethit të afërt të presidentit Donald Trump dhe Rusisë, por që as pohon, as mohon që Presidenti pengoi drejtësinë.
Raporti i shumëpritur sinjalizon se Presidenti Trump nuk përballet me sfida ligjore nga Departamenti i Drejtësisë për çështje të lidhura me Rusinë. Po përsa i takon Kongresit që ka kompetencat të hetojë dhe të fillojë procesin e shkarkimit të mundshëm? Republikanët që kontrollojnë Senatin, duan ta mbyllin këtë kapitull. Demokratët, që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve janë të ndarë për hapat e mëtejshëm.
“Ne nuk mund të jemi një Amerikë që thotë se është në rregull që një president i Shteteve të Bashkuara të përpiqet të bllokojë hetime ndaj një sulmi të huaj ndaj vendit tonë, apo hetime për gabimet e vetë presidentit. Prandaj unë i kam bërë thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të fillojë procesin e shkarkimit”, thotë senatorja demokrate Elizabeth Warren, kandidate demokrate për presidente.
Por kreu i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer shprehu dyshim se ishte ide e mirë që të ndiqej rruga procesit të shkarkimit, duke vënë në dukje se populli amerikan do ta thotë fjalën e fundit në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Presidenti Trump nuk ka ndënjur në heshtje. Ai shkruante në Twitter: “Demokratët e së majtës radikale nuk duan të bëjnë ligje për të mirën e popullit, por vetën të hetojnë dhe të shpërdorojnë kohën. Kjo po i kushton rëndë vendit tonë dhe do t’u kushtojë shumë demokratëve në vitin 2020!”
“Ajo që duhet të vendosim ne si demokratë është se ç’është më e mira për vendin? A është më mirë që të ndiqet procesi i kërkesës së shkarkimit, sepse përndryshe përçohet mesazhi se kjo sjellje mund të tolerohet? Apo është në interes të vendit të mos fillojmë një proces shkarkimi që ne e dimë se nuk do të ishte i suksesshëm në Senat? Është një pyetje tepër e vështirë”, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.
Shtëpia e Bardhë këmbëngul se Presidenti është provuar i pafajshëm.
“Nuk pati bashkëpunim të fshehtë. Nuk pati konspiracion mes fushatës së presidentit Trump dhe Kremlinit për të dëmtuar dhe përhapur keqinformim për zgjedhjet tona… Presidenti nuk do të shkojë në burg. Ai do të jetë në Shtëpinë e Bardhë edhe për 5 vjet e gjysmë. Pse? Sepse nuk u gjet asnjë krim”, thotë këshilltarja e presidentit Kellyane Conway,
Raporti i Prokurorit Mueller detajon përpjekjet ruse për të keqinformuar dhe keqorientuar votuesit amerikanë dhe për të dëmtuar fushatën e kandidates demokrate të vitit 2016, Hillary Clinton. Rusia ka mohuar të ketë ndërhyrë ndërsa Shtëpia e Bardhë fajëson administratën e ish-presidentit Obama, që nuk arriti të frenojë veprimtaritë dashakeqe të Moskës./VOA
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...