Google ADS

Partia opozitare në Gjeorgji raporton për sulm në zyrat e saj

17:26 | 1 Qershor 2024
E.K

Partia opozitare Lëvizja për Bashkim Kombëtar e Gjeorgjisë tha të shtunën se zyrat e saj në Tbilisi u sulmuan gjatë natës nga dhjetëra burra të maskuar.

Gjatë sulmit u dëmtuan pajisjet dhe u thyen xhamat e zyrës, sipas pamjeve të publikuara nga kjo parti në rrjetet sociale.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë se ka nisur një hetim për këtë sulm.

Ky incident ndodhi në një kohë kur tensionet në Gjeorgji janë të larta, pasi partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, e miratoi një legjislacion kundërthënës për “agjentët e huaj”.

Ky ligj ka nxitur protesta shumë të mëdha nëpër rrugët e Tbilisit.

Kundërshtarët e këtij ligji thonë se ai është autoritar dhe është i frymëzuar nga një ligj i ngjashëm në Rusi.

Bashkimi Evropian thotë se ky ligj ia rrezikon Gjeorgjisë rrugën drejt integrimit në bllokun 27-anëtarësh.

Këtë javë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi regjim vizash dhe tha se bashkëpunimi dypalësh me Gjeorgjinë do të rishikohet.

Ëndrra Gjeorgjiane ka ngulur këmbë se mbetet e përkushtuar që t’iu bashkohet institucioneve perëndimore dhe ka thënë se ligji ka për qëllim vetëm rritjen e transparencës për financimin e OJQ-ve./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme