Ligjvënësit turq filluan sot debatin mbi ligjin e shumëpritur për të miratuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, hap ky që mund të heqë pengesën kryesore që shteti nordik t’i bashkohet aleancës ushtarake.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka zvarritur ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO për më shumë se një vit, duke akuzuar shtetin nordik se është shumë i butë ndaj grupeve që Turqia i konsideron si kërcënime sigurie. Turqia ka kërkuar që t’i bëhen lëshime nga Suedia, përfshirë një qëndrim më të ashpër ndaj militantëve kurdë dhe anëtarëve të një rrjeti që Ankaraja i akuzon për puçin e dështuar të vitit 2016.
Turqia është zemëruar gjithashtu nga një mori demonstratash në Suedi të përkrahësve të Partisë Punëtore Kurde, që është shpallur e jashtëligjshme në Turqi, si dhe nga protestat ku është djegur Kurani, që ngritën tensionet në shtetet myslimane.
Muajin e kaluar, pasi Presidenti turk Reçep Taip Erdogan ua dërgoi ligjvënësve protokollin e anëtarësimit për miratim, komiteti parlamentar për marrëdhënie me jashtë dha pajtimin e vet për anëtarësimin e Suedisë, që është hapi i parë i procesit legjislativ.
Partia në pushtet e Presidentit Erdogan dhe aleatët e saj nacionalistë përbëjnë shumicën në parlament dhe protokolli i anëtarësimit pritej të miratohej gjatë votimit mbrëmjen e së martës. Ai hyn në fuqi pas botimit në gazetën zyrtare të Turqisë, që pritet të ndodhë me shpejtësi.
Sipas zëvendës ministrit të Jashtëm të Turqisë, Burak Akcapar, Suedia ka bërë përpjekje për të përmbushur kërkesat e Turqisë, përfshirë heqjen e kufizimeve për blerjet në fushën e mbrojtjes dhe ndryshimin e ligjeve kundër terrorizmit.
Suedia ka premtuar bashkëpunim më të ngushtë me Turqinë në fushën e kundër-terrorizmit dhe mbështetje për synimin e Turqisë që të ringjallë përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Partia kryesore opozitare turke gjithashtu mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO, por partia e qendrës së djathtë dhe partia pro-kurde kanë njoftuar se do ta kundërshtojnë anëtarësimin e Suedisë.
Presidenti Erdogan e ka lidhur ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO me miratimin e Kongresit amerikan të kërkesës së Turqisë për të blerë 40 aeroplanë ushtarakë F-16 dhe pajisje tjera për të modernizuar forcat ajrore turke. Ai po ashtu ka nxitur Kanadanë dhe aleatët të tjerë të NATO-s të heqin embargot e armëve ndaj Turqisë.
Presidenti amerikan Joe Biden kurrë nuk e ka lidhur formalisht shitjen e aeroplanëve F-16 me ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Turqia. Por, një numër ligjvënësish me ndikim në Kongres kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin shitjen nëse dhe derisa Turqia të mos nënshkruajë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Këta ligjvënës kanë fuqinë ta bllokojnë, apo të paktën ta vonojnë, shitjen.
Nëse dhe kur Turqia e ratifikon anëtarësimin e Suedisë në NATO, zyrtarët e administratës thonë se presin që shitja e aeroplanëve F-16 të bëhet shpejt.
Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështje të sigurisë kombëtare, John Kirby deklaroi se Shtëpia e Bardhë po përcjell me vëmendje veprimet e parlamentit turk.
“Siç ka deklaruar Presidenti, Suedia është më se është e gatshme të bëhet aleate e NATO-s”, deklaroi zoti Kirby. “Dhe ne po mirëpresim anëtarësimin e saj në aleancë, por nuk do të shprehem përpara vendimit të parlamentit turk”.
Ai shtoi: “Është koha për Suedinë të bëhet aleate e NATO-s. Ajo ka një ushtri moderne, të përparuar – me të cilën jemi shumë të përshtatur. Dhe do t’i shtojnë aleancës kapacitete të rëndësishme ushtarake”.
Krahas Turqisë, edhe Hungaria po vonon anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke akuzuar diplomatët suedezë se kanë “thënë gënjeshtra” për gjendjen e demokracisë në Hungari. Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi të martën se i ka dërguar letër homologut të tij suedez Ulf Kristersson për të vizituar Budapestin për bisedime rreth anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Për t’u anëtarësuar në NATO kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare dhe Turqia e Hungaria janë dy shtetet që po vonojnë procesin, gjë që ka zemëruar aleatët e tjerë të NATO-s, të cilët duan që Suedia dhe Finlanda të anëtarësohen sa më parë./voa
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...