Parlamenti holandez voton për pranimin e Bullgarisë në Shengen

17:29 | 22 Dhjetor 2023
KRG

Parlamenti i Holandës ka votuar për pranimin e Bullgarisë në zonën Shengen, ka njoftuar ministri i Brendshëm bullgar, Kalin Stoyanov.

“Tani, e vetmja pengesë mbetet kundërshtimi nga Austria”, është shprehur Stoyanov më 22 dhjetor.

Siç ka raportuar agjencia BTA, Stoyanov ka thënë se negociatat intensive ndërmjet Bullgarisë dhe Rumanisë me zyrtarët austriakë tashmë kanë nisur.

“Unë shpresoj se Austria do të marrë një vendim gjatë ditëve të ardhshme, por dyshoj se kjo mund të ndodhë para Vitit të Ri”, ka deklaruar Stoyanov.

Sofja dhe Bukureshti po përpiqen t’i bashkohen zonës Shengen, por deri më tani kjo u është pamundësuar nga kundërshtimet nga Austria dhe Holanda.

Bullgaria është bllokuar edhe nga Hungaria, për shkak të zbatimit të një takse transiti për gazin rus. Pezullimi i taksës është shoqëruar me tërheqjen e bllokadës hungareze.

Kryeministri i Bullgarisë, Nikolay Denkov, ka thënë se vendimi i Holandës ishte i pritur, dhe se Sofja tani është në një pozitë më të mirë për negociata me Austrinë.

Ai, po ashtu, ka thënë se rezervat e palës austriake karshi emigracionit ilegal po merren parasysh në negociata.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh shefe e diplomacisë bullgare, Maria Gabriel, po ashtu, e ka përshëndetur vendimin e Parlamentit holandez.

“Unë jam e sigurt se kjo është në interesin e mbarë Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.

Ekspertët e Komisionit Evropian kanë vlerësuar një vit më parë se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia ishin të gatshme të hynin në zonën Shengen, por Holanda dhe Austria nuk u pajtuan.

Më herët, në nëntorin e vitit 2022, parlamenti holandez miratoi një rezolutë, përmes së cilës i kërkoi qeverisë të bëjë verifikime para se të vendosë për pranimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë.

Nga të tri vendet, vetëm Kroacia ka hyrë në Shengen, më 1 janar të këtij viti.

Zona Shengen është më e madhja në botë ku mund të udhëtohet pa viza. Ajo përfshin 22 vende të Bashkimit Evropian, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën./REL/

Të ngjashme