Parlamenti Evropian, përmes një raporti për Serbinë, të miratuar të mërkurën në Komisionin për Politikë të Jashtme, ka kritikuar edhe një herë Serbinë për afërsi me Rusinë dhe për refuzimin që të përshtatet me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Për më tepër deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar edhe kushtëzimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë me qëndrimet e saj ndaj Rusisë.
Në veçanti, shprehet zhgënjim për faktin se Serbia vazhdon të jetë një prej vendeve të vetme të rajonit dhe ndër të paktat në botë, të cilat nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë. Në këtë mënyrë, këto vende kanë vazhduar t’i refuzojnë kërkesat që të përshtaten edhe sanksionet, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë prej kur ka nisur agresioni i saj ndaj Ukrainës.
Përmes amendamenteve që janë votuar, Parlamenti Evropian ka shprehur edhe shqetësim për emërimin e ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, për shef të Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA, pasi që ai konsiderohet të jetë i afërt me Moskën dhe person “i njohur për retorikën kundër Bashkimit Evropian”.
Në raport përmendet se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se kjo është një zgjedhje strategjike e Serbisë, prandaj ajo edhe duhet të sillet në përputhje me këtë qëndrim dhe t’i mbështesë vlerat evropiane.
Në raport thuhet se është e papranueshme që Serbia të përshtatet me “regjimin luftënxitës autokrat të Rusisë”.
Ndonëse përshëndetet fakti se Serbia i ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku dënohet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, shprehet keqardhje për refuzimin që të mbështeten edhe sanksionet.
Në këtë dokument shprehet keqardhje për sjelljen e përgjithshme të Serbisë, e cila disa aspekte të politikës së jashtme i ka tërësisht në kundërshtim me qëndrimet e BE-së.
Në raportin për Serbinë thuhet se përparimi në rrugën e integrimeve evropiane do të varet nga suksesi në reforma, përshtatja me politikën e jashtme dhe nga normalizimi i raporteve me Kosovën.
Po ashtu, kërkohet që të normalizohen raportet me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë.
Raporti për Serbinë është miratuar në Komisionin përkatës parlamentar me 43 vota në favor, gjashtë kundër dhe pesë abstenime. Raporti tash shkon për debat dhe miratim edhe në seancë plenare. Ndërsa pritet të jetë në rend dite në seancën e 9 majit./rel
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...