Google ADS

Parlamenti Evropian kërkon sanskione ndaj Kinës për shkak të keqtrajtimit të ujgurëve

19:27 | 17 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Parlamenti Evropian (PE) dënoi keqtrajtimin dhe punën e detyruar ndaj turqve ujgurë dhe myslimanëve të tjerë në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur të Kinës, duke u bërë thirrje vendeve të BE-së për të sanksionuar zyrtarët kinezë përgjegjës, raporton Anadolu Agency (AA).

Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan projektrezolutën e grupeve politike mbi “punën e detyruar dhe situatën e ujgurëve në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang”.

Në projektrezolutë, dënohet fuqishëm “puna e detyruar nga qeveria kineze, veçanërisht sistemi i shfrytëzimit të ujgurëve, kazakëve, kirgizëve dhe grupeve të tjera të pakicave myslimane në fabrika dhe kampe të mbyllura në Xinjiang, dërgimi i punëtorëve të detyruar në pjesë të tjera të Kinës, dhe fakti që markat dhe kompanitë e njohura evropiane përfitojnë nga puna e detyruar”.

Deputetët i kërkuan sektorit privat të shqyrtojnë marrëdhëniet e tyre me rajonin Xinjiang, të inspektojnë zinxhirët e furnizimit për të përcaktuar që të drejtat e njeriut respektohet, dhe nëse jo, të ndërprejnë marrëdhëniet e tyre të biznesit. Gjithashtu u kërkua që Kina të lejojë grupin ndërkombëtar të monitorimit të kryejë vëzhgime të pavarura në rajonin Xinjiang.

Duke kujtuar se BE-ja miratoi “Regjimin Global të Sanksioneve për të Drejtat e Njeriut” më 7 dhjetor, i cili do të lejojë vendosjen e sanksioneve ndaj personave, institucioneve dhe organizatave që shkelin të drejtat e njeriut, projektrezoluta thekson:

“Parlamenti Evropian u bën thirrje vendeve anëtare dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë që të marrin në konsideratë shpejt vendosjen e sanksioneve ndaj agjencive qeveritare përgjegjëse për politikën e ndalimit masiv të ujgurëve dhe turqve të tjerë myslimanë për punë të detyruar në Xinjiang, siç janë autoritetet kineze dhe Kompania e Prodhimit dhe Ndërtimit në Xinjiang”.

Ndryshe, shumë vende, organizata ndërkombëtare dhe raporte akuzojnë Kinën për shkelje të të drejtave të popullatës ujgure në Xinjiang dhe kampet që veprojnë në emrin “qendra të edukimit”.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), vlerësohet se të paktën 1 milion ujgurë mbahen pa vullnetin e tyre në vendet që Pekini i quan si “qendra të formimit profesional” por që opinioni ndërkombëtar i përshkruan si “kampe riedukimi”.

Disa ditë më parë, një raport tregoi se Kina ka zbatuar punë të detyruar ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera në Xinjiang.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme