Google ADS

Parashikimi i zymtë për luftën/ Izraeli: Do të zgjasë, SHBA: Të mbarojë sa më shpejt

19:08 | 15 Dhjetor 2023
K.B

Lufta kundër Hamasit do të kërkojë më shumë muaj.

Kështu i ka thënë ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili vizitoi Tel Avivin.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që lufta të mbarojë sa më shpejt.

“Lufta mund të mbarojë që sot nëse lideri i Hamasit bën gjënë e duhur dhe ul armët, dorëzohet dhe liron pengjet. Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta në këtë luftë të nisur nga Hamasi.

Edhe Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe përgjegjësinë që të vijojë këtë luftë për të mbrojtur popullin dhe kombin e tij”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Sigurinë Kombëtare.

Forcat Mbrojtëse Izraelite publikuan një video të militantëve që dorëzoheshin dhe ulnin armët në një spital në veri të Gazës. Ndërkohë, luftimet intensive dhe bombardimet vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje tek popullata civile.

“Operacioni humanitar është në prag të kolapsit. Nuk është e mundur të shpërndash ushqime dhe ndihma në këto kushte. Ajo që duhet të bëjmë është të intensifikojmë volumin e ndihmave dhe për këtë na duhen më shumë kalime”, u shpreh Carl Skau, nëndrejtor i Programit Botëror të Ushqimit.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, të paktën 90 për qind e banorëve të Gazës nuk hanë mjaftueshëm, ndërsa thuajse gjysma e popullsisë rrezikon të vdesë nga uria./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme