Koreja e Veriut mbajti një paradë ushtarake për të treguar epërsinë e vet përballë botës.
Partia e Punës në pushtet festoi të shtunën 75-vjetorin e themelimit, me parakalimin e formacioneve këmbësore, me shfaqjen e arsenalit luftarak dhe raketor përpara qytetarëve të mbledhur pa maska e pa respektuar distancat, edhe pse në kohë pandemie.
Fjalimin e tij me këtë rast, udhëheqësi i vendit, Kim Xhong-un, e fokusoi te sfidat që po kalon vendi, përballja me koronavirusin, me katastrofat natyrore dhe me sanksionet ekonomike të Amerikës për shkak se vendi nuk heq dorë nga programi i armatimit bërthamor.
Ai tha se prandaj nuk po i përmbush dot premtimet për zhvillimin ekonomik, fjalë që emocionuan atë vetë dhe publikun.
“Më vjen turp që nuk kam mundur kurrë ta paguaj si duhet besimin tuaj të pamasë. Përpjekjet dhe përkushtimi im nuk kanë mjaftuar për ta nxjerrë popullin tonë nga vështirësitë.”
Kim Xhong-un i shmangu kritikat direkte ndaj Uashingtonit por përmendi mundësinë që dikur raportet e vendit me fqinjët koreanojugorë mund të përmirësohen më shumë.
“Urojmë që edhe Koreja e Jugut të rimëkëmbet shpejt nga kovidi-19, dhe shpresojmë që Veriu e Jugu në të ardhmen e afërt të mund t’i mbajnë dorën përsëri njëri-tjetrit.”
Në Korenë e Jugut por edhe në Uashington, zyrtarët kishin shprehur më herët shqetësimin se Pheniani gjatë paradës mund të prezantonte armë të reja bërthamore.
Kim Xhong-un tha se vendi do vazhdojë ta rritë fuqinë e vet mbrojtëse në rast lufte, ndërsa gjatë aktivitetit u ekspozuan edhe raketat balistike me rreze të gjatë veprimi të prodhuara vetë.
Një mesazh urimi për koreanoveriorët erdhi në fundjavë edhe nga presidenti Shi Xhinping, i cili u zotua të mbrojë, konsolidojë dhe t’i zhvillojë lidhjet e mira me Korenë Veriore.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...