Paundi britanik ra në një pikiatë të frikshme, në një ditë të mbushur me paqartësi për shkak të dorëheqjeve të papritura si pasojë e draft marrëveshjes së “Brexit”-it, duke shkaktuar kështu rënien më të fortë të këtij viti, e duke tronditur edhe aksionet bankare, të tregtarëve dhe sipërmarrësve të fushës së ndërtimit.
Gjithçka ndodhi pas një dite të konsideruar si të mbushur me “komplote” politike në Westminster, gjë që shkaktoi frikën se Britania e Madhe mund të shkëputej nga Bashkimi Europian pa arritur një marrëveshje. Në fakt, një pakt është arritur mbi një tekst të hartuar, gjë që u njoftua një ditë më parë, por duket se kryeministrja May rrezikon të mos sigurojë mbështetjen e nevojshme në Parlamentin britanik, gjë që e treguan edhe dorëheqjet e radhës në kabinetin qeveritar.
Stërlina ra me rreth 2 për qind kundrejt euros dhe dollarit, duke shënuar kështu rënien më të fortë që prej qershorit të vitit 2017.
Ekspertë të këmbimit valutor parashikojnë se paundi britanik mund të bjerë edhe 3 apo 4 për qind të tjera, për sa kohë që kërcënimi i sfidimit të lidershipit të sfumohet, apo derisa të ketë shenja të qarta se marrëveshja e shkëputjes do të fitojë më shumë mbështetje në Parlament.
Madje, është arritur deri aty sa, bankave më madhore britanike t’u kërkohet mendim, mbi reagimin e tregjeve mes frikës për financat e tyre në një periudhë kaosi politik.
Një zëdhënës i Autoritetit të Drejtimit Financiar tha se “ashtu siç e dinë të gjithë, në të tilla situata ne kemi kontakte të rregullta me firmat dhe do të mbetemi gjithnjë të angazhuar me ta”.
Raab la papritur dhe në mënyrë të bujshme postin në kabinet mëngjesin e së enjtes, duke thënë se nuk mund ta mbështeste planin e Theresa Mayt për “Brexit”-in. Dorëheqja e tij u pasua nga largimi nga posti edhe i Sekretares së Punës dhe Pensioneve, Esther McVey, e cila tha se marrëveshja e Mayt për “Brexit”-in “nuk është në përputhje me rezultatin e referendumit”.
Ndërkohë, një nga aktivistët më të zëshëm “ultrakonservator” që bëri fushatë për “Brexit”-in, Jacob Rees-Mogg ishte mes atyre pak deputetëve që bënë thirrje për një votë mosbesimi ndaj Theresa Mayt, gjë që nëse ndodh do të mund të shkaktojë edhe zgjedhje të reja për lidershipin e konservatorëve.
Vetëm pak orë para dorëheqjeve të Raab dhe McVey, një tjetër emër, Shailesh Vara, e cila mbante portofolin e ministres së Shtetit për Irlandën e Veriut, tha se marrëveshja e Mayt “e lë Britaninë e Madhe me një këmbë në shtëpi e një këmbë në rrugë”.
Duhet theksuar se, paundi e kishte mbyllur me rritje ditën e mërkurë, pasi kryeministrja May njoftoi se kishte fituar mbështetjen e kabinetit të saj të përçarë pas një takimi që zgjati 5 orë. Por, mëngjesi i së enjtes përmbysi gjithçka…/tch/
Aeroplani i linjes Hamburg – Prishtinë, bën ulje të detyrues...
Haradinaj organizon pritje për veteranët e UÇK-së
Horoskopi ditor, zbuloni parashikimet e yjeve për shenjën tu...
Parashikimi i motit për këtë të dielë
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë