Paqartësi rreth vend-ndodhjes së udhëheqësit të grupit Wagner

16:30 | 6 Korrik 2023
Arbresh

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha se udhëheqësi i grupit Wagner nuk ndodhet më në Bjellorusi, por në Shën Petersburg të Rusisë, duke ngritur kështu pikëpyetje mbi marrëveshjen që i dha fund rebelimit të armatosur, muajin e kaluar. Pas deklaratave të presidentit Lukashenko, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk po i mbikqyr lëvizjet e udhëheqësit të grupit mercenar.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexader Lukashenko tha të enjten se udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ndodhet në Shën Petersburg të Rusisë, ndërsa trupat e tij vazhdojnë të qendrojnë në të njejtat kazerma, ku ndodheshin përpara rebelimit të armatosur, i cili dështoi.

“Yevgeny Prigozhin ndodhet në Shën Petersburg. Ku gjendet ai mëngjesin e sotëm? Mund të shkojë në Moskë, apo diku tjetër, por nuk ndodhet në territorin e Bjellorusisë”, tha Presidenti Lukashenko.

Presidenti bjellorus nuk specifikoi vendodhjen e kampeve ku ndodheshin luftëtarët e grupit Wagner, por përpara revoltës së armatosur, mercenarët e udhëhequr nga Progozhini luftuan në krah të trupave ruse, në lindje të Ukrainës.

“Sikurse jam informuar mëngjesin e sotëm, luftëtarët e grupit Wagner gjenden në kampet e përhershme ku u vendosën pasi u tërhoqën nga vijat e frontit për të marrë trajtim mjekësor. Pas Bakhmutit ata u tërhoqën në kampet e tyre dhe ndodhet atje”, u shpreh Presidenti Lukashenko.

Pas kësaj deklarate, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia nuk po e mbikqyr udhëheqësin e grupit Wagner.

“Ne nuk po mbikqyrim lëvizjet e tij. Nuk i kemi mundësitë për këtë. Por as nuk kemi dëshirë”, tha zëdhënësi Peskov.

Rebelimi i grupit Wagner, më 24 qershor shënoi sfidën më të fortë ndaj udhëheqjes prej më shumë se dy dekadash të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Marshimi i Prigozhinit dhe luftëtarëve të tij, drejt Moskës u ndërpre pas një marrëveshjeje që përfshinte transferimin e udhëheqësit të grupit Wagner në Bjellorusi.

Fakti që ky u fundit mund të jetë në gjendje të kthehet në Rusi pa u ndëshkuar mund të ngrejë pikëpyetje të tjera për autoritetin e presidentit rus.

Udhëheqësit perëndimorë dhe ekspertët janë shprehur se rebelimi i armatosur ishte një tregues se autoriteti i Putinit është dobësuar.

Deklaratat e sotme të autoriteteve bjelloruse dhe ruse shtojnë paqartësitë mbi marrëveshjen, që i dha fund rebelimit, por edhe dyshimet mbi strategjinë e Moskës pas këtij akti./VOA

Të ngjashme