Papa Françesku denoncon retorikën populiste kundër emigrantëve

19:28 | 21 Shkurt 2017
Arbresh.info

Papa Françesku kërkoi ndryshime radikale të sjelljes kundrejt emigrantëve, duke denoncuar “retorikën populiste”, që sipas tij po nxit frikë dhe egoizëm në vendet e pasura.

Numri një i Selisë së Shenjtë tha gjatë një konference për emigracionin në Romë se, në vend të refuzimit, atyre u duhet ofruar mikpritje dinjitoze, veçanërisht nëse janë larguar për t’iu shpëtuar luftrave.

“Përballe refuzimit, egoizmit e retorikës populiste, është i nevojshëm një ndryshim rrënjësor në sjellje, për të tejkaluar indiferencën dhe për të luftuar frikën me një qasje bujare ndaj atyre që trokasin në dyert tona”, tha Papa Françesku.

Papa nuk përmendi ndonjë vend të caktuar në fjalimin e tij, por ndjesitë antiemigrante janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, me fuqizimin e pozitave të politikanëve populistë. I shumëdiskutuar ishte urdhri i firmosur nga Donald Trump muajin e kaluar, që ndalonte udhëtimet nga 7 vende me shumicë myslimane.

Pavarësisht bllokimit të tij nga gjykatat, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka premtuar të lëshojë së shpejti një urdhër të ri të rishikuar. Partitë kundër emigrantëve kanë shënuar fitore të konsiderueshme edhe në vendet europiane, si Itali, Holandë dhe Francë. Kreu i Vatikanit kujtoi se mbrojtja e azilkërkuesve, punonjësve emigrantë e viktimave të trafikut njerëzor është një detyrë morale.

“Mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi i lirive themelore janë detyra, nga të cilat askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Kjo përkthehet në adoptimin e instrumenteve të qarta e të përshtatshme juridike, si ndërkombëtare, ashtu dhe kombëtare”, tha Papa Françesku.

Mbi 181 mijë emigrantë mbërritën në vitin 2016 në brigjet italiane, ndërsa 5.000 humbën jetën në Mesdhe, gjatë përpjekjeve për të hyrë në Evropë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme