Palët luftuese në Jemen mund të jenë gati për bisedime paqeje

00:01 | 25 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Dy palët në luftën trevjeçare të Jemenit po sinjalizojnë se mund të jenë të gatshme për t’i dhënë fund luftimeve. Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët që mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit ka urdhëruar ndaljen e ofensivës së vet ndaj portit të rëndësishëm të vendit, Hodeida, hyrja kryesore e importeve të ushqimit në Jemen.

Kryengritësit Houthi të mbështetur nga Irani thonë s se po ndalin goditjet me dronë dhe raketa ndaj forcave të koalicionit. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një armëpushim që do t’i jepte fund krizës së thellë humanitare në vend.

Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 10 mijë vetë janë vrarë në luftën e Jemenit deri tani dhe miliona vetë nuk kanë qasje të qendrueshme në ushqime. Zyrtarët e OKB-së thonë se bombardimi i civilëve, bllokimi i ndihnmave ushqimore dhe shkelje të tjera të parimeve humanitare, kanë shkaktuar katastrofën më të rëndë humanitare në botë.

Nuk jemi në prag të katastrofës. Jemi në mes të katastrofës”, thotë David Beasley i Programit Botëror të Ushqimit.

Konflikti shihet si një luftë jo e drejtpërdrejtë mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Një projekt-rezolutë e paraqitur nga Britania në OKB u bën thirrje palëve ndërluftuese që ndalin sulmet dhe të negociojnë për paqe. Mbreti saudit Salman tha të hënën se vendi i tij do ta mbështesë përpjekjen ndërkombëtare por shtoi se vendi i tij ka detyrimin t’i mbrojë jemenasit nga ndërhyrja e Iranit.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë për t’i dhënë fund programit bërthamor të Iranit dhe për të ndalur përpjekjet e tij që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha ai.

Udhëheqësit e rebelëve Houthi ranë dakord që të ndalin sulmet me raketa dhe dronë ndaj forcave të koalicionit nëse Arabia Saudite është vërtet e interesuar për paqe. Të dyja palët pritet të takohen për bisedime paqeje në Suedi deri në fund të vitit.

Ne jemi të gatshëm për dialog në çdo kohë nëse bëhet fjalë për dialog të vërtetë që të sjellë paqe. Nëse i dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin vjen, ne jemi të gatshëm për dialog. Nëse nuk vjen ne jemi gati të luftojmë deri në frymën e fundit”, tha negociatori i kryengritësve, Hameed Asem,

I dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Martin Griffiths, ka premtuar të shoqërojë përfaqësuesit Houthi nga kryeqyteti i Jemenit, Sanaa nëse është e nevojshme.

Ky është një moment kyç për Jemenin. Unë kam marrë garanci të forta nga udhëheqësit e palëve: qeveria e Jemenit, sigurisht si edhe Ansar Allah, lëvizja Houthi, se janë të angazhuar që të marrin pjesë në këto konsultime. Unë besoj se janë të sinqertë dhe shpresoj që të vazhdojnë në këtë drejtim dhe të vijnë në konsultime dhe të njëjtën gjë shpreson edhe populli i Jemenit, që është i dëshpëruar për një zgjidhje politike të një lufte ku ata janë viktimat kryesore”, tha zoti Griffiths.

Projekt-rezoluta për Jemenin, e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të hënën bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në qytetin-port të Hodeidas dhe vendos një afat prej dy javësh për palët ndërluftuese që të eliminojnë të gjitha barrierat për ndihmën humanitare./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme