Google ADS

Palestinezët evakuohen në jug teksa Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

11:45 | 29 Dhjetor 2023
E.K

Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur janë nisur drejt qytetit Rafah në jug ditëve të fundit, kanë thënë Kombet e Bashkuara, përderisa forcat izraelite më 29 dhjetor kanë vazhduar të sulmojnë zonat në Gazën qendrore, duke vrarë dhjetëra persona.

Ofensiva e paprecedent e Izraelit nga toka dhe ajri kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ka zhvendosur rreth 85 për qind të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, të cilët po kërkojnë strehim në zonat që Izraeli i ka cilësuar si të sigurta, por të cilat janë bombarduar nga ushtria. Kjo ka bërë që palestinezët të mos jenë të sigurt në asnjë pjesë të enklavës së vogël.

Fushata ushtarake e Izraelit veçse ka rrafshuar pjesë të mëdha në veri të Gazës dhe tani ushtria është përqendruar në zonat në Gazën qendrore, ku avionët izraelitë dhe artileria po sulmojnë kampet e refugjatëve Burej, Nuseirat dhe Magazi, duke shkatërruar ndërtesat, kanë thënë banorët.

Por, luftimet janë përhapur në shumë zona të Gazës. Në veri, Hamasi ende po lufton me trupat izraelite me një rezistencë të fuqishme. Në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës, Han Junis në jug, ku Izraeli beson se liderët e Hamasit fshihen, po ashtu ka beteja.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe do të lirojë mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal, që kur ai kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Nga këto sulme, u vranë 1.200 persona në Izrael, shumica civilë.

Zyrtarët e Izraelit kanë refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se një ndalje e luftimeve do të përbënte fitore për Hamasin.

Të enjten mbrëma, OKB-ja tha se afër 100.000 persona kanë shkuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, gjatë ditëve të fundit.

Izraeli u ka thënë banorëve në Gazën qendrore që të evakuohen dhe të shkojnë në Rafah dhe në qytetin Deir al-Bala. Por, pavarësisht se ka urdhëruar evakuimin për në Rafah, ky qytet ka qenë cak i sulmeve izraelite.

Gjatë një sulmi mbrëmjen e së enjtes ndaj një ndërtese banimi, u vranë të paktën 23 persona, thanë zyrtarët e spitalit Al-Kuwaiti, që gjendet aty pranë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme