Lideri palestinez, Mahmud Abbas ka njoftuar se do të ndërpresë të gjitha lidhjet me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të planit të paqes për Lindjen e Mesme, që u prezantua javën e kaluar nga Uashingtoni.
Abbas nga Kajro deklaroi se propozimi i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump është “shkelje e marrëveshjeve” të arritura nga Izraeli dhe palestinezët më 1993 në Oslo.
Lideri palestinez tha se “nuk do të ketë raporte, përfshirë edhe ato të sigurisë” me SHBA-në dhe Izraelin.
“Unë kurrë nuk do ta pranoj këtë zgjidhje. Unë nuk do ta vendos në historinë time se kam shitur Jerusalemin”, tha ai.
Sipas propozimit të prezantuar nga SHBA-ja më 28 janar, Izraeli do të aneksonte të gjitha vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor – shumica prej të cilave shihen si ilegale nga komuniteti ndërkombëtar – si dhe Luginën e Jordanit.
Palestinezët do të kishin një sovranitet të kufizuar në Gaza dhe në disa pjesë në Bregun perëndimor, si dhe në disa lagje që gjenden në kufijtë e Jerusalemit. Sipas këtij propozimi, Izraeli do të kontrollonte të gjitha kufijtë tokësorë dhe hapësirën ajrore si dhe do të ketë përgjegjësi për sigurinë.
Po ashtu, do të shfuqizohej e drejta e kthimit të palestinezëve të shpërngulur nga lufta e vitit 1948 në territoret e paraardhësve të tyre. Rikthimi në këto territore ka qenë kërkesa kryesore e palestinezëve.
Ministrat e Jashtëm të vendeve arabe u takuan sot në Kajro për të diskutuar propozimin e SHBA-së. Ky takim u zhvillua me kërkesën e palestinezëve./REL/
Murati i reagon Ramës: Në vend se të kërkoni fajtorin gjetiu...
Milan dhe Hernandez afër marrëveshjes së re, ja sa do të për...
Rreth 57 miliardë dollarë dëme nga zjarret në Los Anxhelos
Sveçla fton diasporën që të votojnë
Bora Zemani feston sot ditëlindjen
Maqedonci: Letra drejtuar KFOR-it nuk është rizotim, por sqa...