Pakistanezët e sfiduan motin e ftohtë dimëror për të votuar në zgjedhjet parlamentare të enjten, në një kohë kur dhuna është duke u rritur, së bashku me telashet ekonomike dhe politike.
Votimi, i cili filloi në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale, po mbahet një ditë pasi së paku 30 njerëz u vranë nga dy shpërthime të ndërlidhura me zgjedhjet në provincën Balochistan në jugperëndim të Pakistanit dhe në një kohë kur inflacioni ka arritur gati në 30 për qind dhe ish-kryeministri, Imran Khan, politikani më i njohur në vend, është në burg.
Më shumë se 650.000 ushtarë, policë dhe paramilitarë janë duke ofruar siguri në vend gjatë këtyre zgjedhjeve.
Anketuesit kanë parashikuar një dalje të vogël në zgjedhje në vendin ku 128 milionë njerëz kanë të drejtë vote, për shkak të pengimit të partisë së Khanit, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI) dhe dy shpërthimeve të mërkurën, të cilat ndodhën pranë zyrave të kandidatëve.
Përgjegjësinë për këto sulme e mori Shteti Islamik.
Autoritetet ngulën këmbë se dhuna nuk do ta ndalte mbajtjen e zgjedhjeve.
“Çdo përpjekje për ta sabotuar situatën e paqes dhe sigurisë do të parandalohet”, tha kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwar ul-Haq Kakar, pas shpërthimeve.
Megjithatë, Ministria e Jashtme tha se kufijtë me Iranin dhe Afganistanin janë mbyllur dhe se shërbimet telefonike në zonat kufitare janë ndalur, për çështje sigurie.
Mëngjesin e së enjtes, gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Quetta, kryeqytetin e kapluar nga dhuna të Balochistanit, si dhe në qytetin më të madh të vendit, Karaçi, dhe në qytetin veriperëndimor Peshawar, raportuan se votuesit kanë filluar të grumbullohen në numër të madh pas një daljeje të ulët mëngjesin e hershëm
Gati 18.000 kandidatë po garojnë për ulëse në parlamentin nacional dhe për katër asamble provinciale. Ata do të luftojnë për rreth 266 ulëse në parlamentin nacional, i cili i ka 70 ulëse të rezervuara për gratë dhe pakicat, si dhe për 749 vende në asambletë provinciale.
Khan, i cili ishte kryeministër nga viti 2018 deri më 2022, është themelues i PTI-së dhe ende gëzon popullaritet të madh, por ai është në burg pasi është dënuar për korrupsion dhe i është ndaluar mbajtja e posteve publike për një dekadë.
Favorit për t’i fituar zgjedhjet është Liga Myslimane e Pakistanit e ish-kryeministrit Nawaz Sharif, i cili u kthye në atdhe vitin e kaluar, pas katër vjetëve qëndrimi në mërgim për ta shmangur kryerjen e dënimeve me burg. Pak javë pasi u kthye, dënimet e tij u shfuqizuan, duke e lënë atë të lirë të garojë për t’u bërë kryeministër për herë të katërt.
Me rivalin e përbetuar Khan në burg, Sharifi duket ta ketë rrugën e hapur për t’i fituar zgjedhjet, pasi po mbështetet edhe nga vëllai i vet, ish-kryeministri Shehbaz Sharif./rel
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...