Pakistani tha të enjten se ushtria e tij kreu sulme kundër “strehimeve të terroristëve” në Iranin fqinj, dy ditë pasi Teherani bombardoi ata që tha se ishin “terroristë iranianë”, të cilët strehoheshin në tokën pakistaneze.
Ministria e Jashtme pakistaneze tha se sulmet ushtarake “shumë të bashkërenduara dhe të sakta” vranë një “numër terroristësh” në provincën kufitare të Iranit, Sistan-Baluchistan, në operacionin me emrin e koduar “vdekje terroristëve”.
“Pakistani respekton plotësisht sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Republikës Islamike të Iranit. Objektivi i vetëm i aktit të sotëm ishte siguria dhe interesi kombëtar i Pakistanit, i cili është parësor dhe nuk mund të rrezikohet”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme.
Media shtetërore e Iranit citoi zyrtarë të sigurisë të kenë thënë se sulmet pakistaneze vranë të paktën shtatë “shtetas jo iranianë” në qytetin kufitar juglindor të Saravanit. Në mesin e të vrarëve thuhet se janë katër fëmijë dhe tri gra.
Operacioni hakmarrës pakistanez u krye pasi autoritetet iraniane thanë të martën se “sulmet e tyre me raketa dhe dronë” shkatërruan bazat e një grupi militant anti Iran, Jaish al-Adl, ose Ushtria e Drejtësisë, në provincën kufitare të Pakistanit, Baluchistan.
slamabadi dënoi sulmet, që sipas tij vranë dy fëmijë dhe disa civilë të tjerë, duke u zotuar të përgjigjet në përputhje me rrethanat.
Hakmarrja ushtarake e së enjtes nga Pakistani shënoi një përshkallëzim të pashembullt të tensioneve ndërmjet dy vendeve.
Të mërkurën, Pakistani tha se po tërhiqte ambasadorin e tij nga Teherani dhe do të pezullonte të gjitha angazhimet dypalëshe me Iranin për të protestuar kundër sulmit ajror vdekjeprurës ndërkufitar “të paprovokuar”.
“Pakistani rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur këtij akti të paligjshëm. Përgjegjësia për pasojat do të bjerë drejtpërdrejt mbi Iranin,” paralajmëroi zëdhënësja e ministrisë së Jashtme Mumtaz Zahra Baloch.
Ajo tha se Islamabadi i kishte bërë të qartë Teheranit se sulmet ishin një “shkelje e hapur” e sovranitetit të Pakistanit dhe një shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian, duke folur të mërkurën përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, mbrojti sulmin e së martës.
“Asnjë nga shtetasit e vendit mik dhe vëlla të Pakistanit nuk u vu në shënjestër të raketave dhe dronëve iranianë”, tha ai. Ato goditën “terroristët iranianë në tokën e Pakistanit”, shtoi ministri Amirabdollahian.
Shtetet e Bashkuara dënuan sulmet iraniane.
Kina u kërkoi të dy vendeve të mërkurën të ushtrojnë përmbajtje dhe theksoi se sovraniteti, pavarësia dhe tërësia tokësore e të gjitha vendeve duhet të respektohen.
Irani dhe Pakistani ndajnë një kufi prej afërsisht 900 kilometrash të gjatë, që ndan provincën e trazuar juglindore të Iranit Sistan-Baluchistan dhe Baluchistanin e goditur nga kryengritësit në Pakistan.
Islamabadi dhe Teherani vazhdimisht akuzojnë njëri-tjetrin se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar grupet e armatosura anti-shtetërore të strehohen në territoret e tyre përkatëse dhe të kryejnë sulme terroriste ndërkufitare kundër forcave të sigurisë./voa
Gresa dhe Gjesti ironizojnë rikthimin e Fitimit: ‘Ta ka drid...
VV-ja të dielën mban tubimin festiv të fundvitit
Përleshje në Aeroportin “Adem Jashari”, arrestoh...
Sulm me mjet të mprehtë në Klinë, arrestohet i dyshuari
Policia shqiptoi 1 mijë e 445 gjoba brenda 24 orëve
Kosova çdo ditë importon rreth 4 milionë euro rrymë