Pakistani tha të mërkurën, më 17 janar, se Irani ka kryer një sulm ajror në territorin e tij, duke vrarë dy fëmijë, pasi Teherani kreu sulme në Irak dhe Siri, kundër atyre që i cuajti “grupe terroriste antiiraniane”.
Pakistani dënoi sulmin ajror që ndodhi në orët e vona të së martës pranë kufirit mes dy shteteve, duke e cilësuar si “krejtësisht të papranueshëm” dhe duke shtuar se ishte i paprovokuar.
Irani ende nuk ka komentuar për këtë ngjarje, por agjencia shtetërore e lajmeve, Nour News, tha se sulmi shkatërroi selinë në Pakistan të grupit xhihadist, Jaish al-Adl (Ushtria e Drejtësisë).
I formuar më 2012, Jaish al-Adl gjenden në listë të zezë të Iranit, pasi Teherani e konsideron si grup terrorist. Ky grup, viteve të fundit ka kryer disa sulme në tokën iraniane.
Sulmi vjen pasi Irani kreu sulme me raketa ndaj “selisë së spiunëve” në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut, dhe ndaj caqeve “terroriste” në Siri.
Sulmet iraniane thellojnë krizën në mbarë Lindjen e Mesme, me Izraelin që po lufton kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë dhe rebelët e lëvizjes Huthi të Jemenit, që po sulmojnë anijet tregtare në Detin e Zi.
Në deklaratën zyrtare të Pakistanit nuk u tha se ku ndodhi sulmi, por mediat në këtë shtet thanë se ndodhi afër Panjgur në provincën jugperëndimore të Baloçistanit, ku dy shtetet ndajnë një kufi prej pothuajse 1.000 kilometrash.
Disa orë para sulmit, kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwar-ul-Haq Kakar, ishte takuar me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Kjo shkelje e sovranitetit të Pakistanit është krejtësisht e papranueshme dhe mund të ketë pasoja serioze”, tha Ministria e Jashtme pakistaneze përmes një deklarate. Aty u tha po ashtu se nga sulmi “u vranë dy fëmijë të pafajshëm dhe u plagosën tri vajza”.
Pas sulmit, Pakistani thirri në bisedë kryediplomatin e Teheranit në Islamabadë, për të protestuar “shkeljen e paprovokuar të hapësirës ajrore”.
Të martën mbrëma, agjencia Nour News postoi në X – që më herët njihej si Twitter – mesazhin ku shkruhej: “Minuta më parë, dy seli të rëndësishme të grupit terrorist Jaish-ul-Adl u shënjestruan në Pakistan”.
“Këto seli u shkatërruan nga raketat dhe dronët”.
Ky grup, në dhjetorin e kaluar kishte marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj një stacioni policor në Rask, ku u vranë të paktën 11 zyrtarë policorë iranianë.
Shtetet e Bashkuara po ashtu e cilësojnë grupin Jaish al-Adl si organizatë terroriste dhe thonë se grupi “cak kryesor ka personelin iranian të sigurisë”, por edhe zyrtarët qeveritarë dhe civilët përmes vrasjeve, rrëmbimeve dhe sulmeve vetëvrasëse me bombë.
Teherani dhe Islamabadi shpesh akuzojnë njëri-tjetrin se lejojnë militantët të kryejnë sulme në territorin e njëti-tjetrit, por rrallë forcat zyrtare përleshen mes vete./rel
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...