Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese në të gjithë Pakistanin është rritur në 1.355, me 12 viktima të reja të raportuara në 24 orët e fundit, treguan statistikat zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga viktimat e reja, gjashtë janë raportuar nga provinca jugore Sindh, ndërsa tre persona kanë humbur jetën në fatkeqësitë e lidhura me përmbytjet në Balochistan-in jugperëndimor dhe dy në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, tha Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA).
Gjithsej 542 njerëz kanë vdekur në Sindh që nga 14 qershori, ndjekur nga 292 në Khyber Pakhtunkhwa dhe 263 në Balochistan, sipas NDMA-së, kurse 191 njerëz kanë humbur jetën në provincën verilindore Punjab.
Që nga 14 qershori, gjithsej 12.722 persona janë lënduar nga shirat dhe incidentet e lidhura me përmbytjet në të gjithë vendin.
Sezoni i reshjeve musonike në Pakistan, si në vendet e tjera të rajonit, zakonisht rezulton me shira të dendur, por ky vit ka qenë më i lagësht që nga viti 1961.
Aktualisht, një e treta e vendit është nën ujë, pasi shirat masive dhe shkrirja e akullnajave kanë bërë që lumi kryesor Indus të vërshojë, duke përmbytur zona të mëdha fushash dhe fermash.
Shirat dhe përmbytjet kanë shkatërruar gjithashtu qindra mijëra shtëpi, ura, rrugë dhe ndërtesa në të gjithë vendin e Azisë Jugore, i cili tashmë po përballet me trazira politike dhe ekonomike.
Mbi 33 milionë nga rreth 220 milionë banorë të vendit janë prekur nga përmbytjet e furishme, duke shkaktuar një humbje marramendëse prej 10 miliardë dollarësh në dëme në infrastrukturën tashmë të dobësuar.
Pothuajse 45 për qind e tokës bujqësore të vendit tashmë është përmbytur, duke paraqitur një kërcënim serioz për sigurinë ushqimore dhe duke shtuar më tej inflacionin tashmë në rritje.
Qindra mijëra njerëz të zhvendosur po përballen gjithashtu me sëmundje të shkaktuara nga uji, të lëkurës dhe syve, ndërsa ekspertët e shëndetit paralajmërojnë një numër më të madh vdekjesh nga diarreja, sëmundjet gastrointestinale, tifoja, malaria denge dhe infeksione të tjera sesa nga shirat dhe përmbytjet.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...