Numri i të vdekurve nga përmbytjet e vazhdueshme në Pakistan është rritur në 1.545 pasi 37 persona të tjerë, përfshirë 18 fëmijë, humbën jetën në incidentet e lidhura me përmbytjet në tre ditët e fundit.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) të Pakistanit, gjithsej 678 persona kanë vdekur në Sindh që nga 14 qershori, 306 në Khyber Pakhtunkhwa dhe 299 në Balochistan.
Gjithashtu, 191 persona kanë humbur jetën në provincën verilindore Punjab, 48 në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe 22 në rajonin verior Gilgit-Baltistan. Në mesin e 1.545 të vdekurve, 552 janë fëmijë dhe 315 gra, treguan të dhënat e NDMA-së.
Gjithsej 12.860 persona janë lënduar nga shirat dhe incidentet e lidhura me përmbytjet në të gjithë vendin.
Dëmi i pronës po rritet gjithashtu, me mbi 1,95 milionë shtëpi të dëmtuara, përfshirë 782.274 të shkatërruara plotësisht.
Sezoni i shirave mosun në Pakistan, si në vendet e tjera të rajonit, zakonisht rezulton me shira të dendur, por në këtë vit janë regjistruar shirat më të dendur që nga viti 1961.
Aktualisht, një e treta e vendit është nën ujë pasi shirat masive dhe shkrirja e akullnajave kanë bërë që lumi kryesor Indus të vërshojë, duke përmbytur zona të mëdha fushash dhe fermash.
Shirat dhe përmbytjet kanë shkatërruar 12.716 kilometra rrugë, 374 ura dhe ndërtesa në të gjithë vendin, i cili tashmë po përballet me trazira politike dhe ekonomike.
Mbi 33 milionë nga rreth 220 milionë banorët e vendit janë prekur nga përmbytjet e furishme, duke shkaktuar një humbje marramendëse prej mbi 30 miliardë dollarësh në dëme infrastrukturore.
Pothuajse 45 për qind e tokës bujqësore të vendit tashmë është përmbytur, duke paraqitur një kërcënim serioz për sigurinë ushqimore.
Qindra mijëra njerëz të zhvendosur po përballen me paraqitjen e sëmundjeve të lëkurës dhe syve që vijnë nga uji, ku ekspertët e shëndetit paralajmërojnë për një numër më të madh vdekjesh nga diarreja dhe infeksione të tjera, sesa nga shirat dhe përmbytjet.
Deri më tani, Pakistani ka pranuar 113 fluturime me ndihma humanitare nga Türkiye, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Uzbekistani, Franca, Arabia Saudite, Jordania, Omani, Nepali, Turkmenistani, UNICEF-i, UNHCR-ja dhe Programi Botëror i Ushqimit.
Ndërkohë, dy trena turq me mallra ndihmash kanë mbërritur në Pakistan përmes Iranit ndërsa tetë trena të tjerë do të mbërrijnë në ditët në vijim.
Javën e kaluar, Tükiye përmes një treni dërgoi 3.100 tenda, 6.870 batanije, 2.864 pako ushqimore, rroba dhe miell, ndërsa deri më tani 13 fluturime me ndihma nga Tükiye kanë mbërritur në Pakistan./AA/
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...