Oxfam: Miliarderët po grabisin planetin dhe po e vënë atë në rrezik serioz

08:57 | 5 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Miliarderët anëmbanë botës janë “duke grabitur planetin” dhe po e vënë botën në “rrezik serioz” nga ndryshimet klimatike, kanë paralajmëruar aktivistët.

Jamie Livingstone, kreu i Oxfam, përmes një studimi zbuloi se deri në fund të kësaj dekade, gjurma e karbonit e 1 përqindëshit më të pasur në botë do të jetë 30 herë më e madhe se ajo që nevoitet për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius, transmeton portal arbresh.info

Autorët e raportit u bënë thirrje qeverive të miratojnë masa për të kufizuar “konsumin luksoz të karbonit, si mega jahtet, avionët privatë dhe udhëtimet në hapësirë”.

Hulumtimi vjen pasi themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, kreu një udhëtim të shkurtër hapësinor, ndërsa në anën tjetër Sir Richard Branson udhëtoi në skajin e hapësirës me aeroplanin e tij me raketë dhe kompania private e udhëtimeve hapësinore Space X, e drejtuar nga Elon Musk po krijon automjete për të transportuar njerëz në Mars.

Shkencëtarët, megjithatë, thonë se për të arritur objektivin e rënë dakord në samitin e klimës 2015, çdo person duhet të kufizojë emetimet e tij të CO2 në vetëm 2.3 ton deri në vitin 2030, afërsisht gjysma e gjurmës së sotme të karbonit.

LEXO EDHE —-> OKB jep alarmin: Njerëzimi rrezikon zhdukjen nga ngrohja globale

Në një studim të ri të Oxfam, bazuar në hulumtimin e Institutit për Politikat Europiane të Mjedisit dhe Institutin e Stokholmit për Mjedisin, zbuloi se 1 përqind e njerëzve më të pasur do ta tejkalojnë atë kufi me 30 herë.

Ky grup njerëzish, më i vogël se popullsia e Gjermanisë, do të përbëjnë 16 për qind të emetimeve totale deri në vitin 2030, nga 13 për qind në 1990 dhe 15 për qind në 2015.

Emetimet totale të gjeneruara vetëm nga 10 përqind e më të pasurve mund të mjaftojnë për të tejkaluar kufirin e ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius deri në vitin 2030, pavarësisht se çfarë bëjnë 90 përqind e tjerë e njerëzve.

“Mënyra luksoze e jetesës dhe grabitja e vazhdueshme e planetit nga njerëzit më të pasur të botës na vë në rrezik në rritje”, tha Livingstone, kreu i Oxfam, një organizatë ndërkombëtare që lufton varfërinë.

“Emetimet e vetëm një fluturimi në hapësirën e një miliarderi janë më të mëdha se emetimet totale të emetuara gjatë gjithë jetës nga dikush që është ndër miliardë njerëzit më të varfër në tokë”, shtoi ai.

Studimi u publikua gjatë samitit të klimës COP26 në Glasgow, ku shtetet po diskutojnë mënyrën më të mirë për të frenuar emetimet.

“Udhëheqësit globalë duhet të bien dakord se si të kufizojnë emetimet e tepërta dhe ngrohjen globale. Ata duhet ta bëjnë këtë këtu dhe tani, në Glasgow. Zvarritja kushton jetë,” paralajmëroi udhëheqësi i Oxfam./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme