Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar pohimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova.
Pas pjesëmarrjes në një ngjarje të organizuar në Prishtinë në kuadër të “Javës së Gruas”, Osmani tha për mediat se është vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia, dhe “ajo është Rusia e [presidentit, Vladimir] Putinit”.
Hill, gjatë një interviste për transmetuesin publik serb, deklaroi më 19 mars se aktualisht Serbia është më pranë aleancës ushtarake perëndimore sesa Kosova, duke thënë se NATO-ja punon çdo ditë me ushtrinë serbe, mban trajnime dhe ushtrime.
Sipas Osmani, Serbia, sikurse Rusia, shkel vlerat kryesore të NATO-s, siç është mbrojtja nga forcat autoritaret dhe rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare.
“Serbia lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë që një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. Serbia vetë është kundër vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO sepse është kundër NATO-s”, tha Osmani.
Pavarësisht se Serbia nuk ka shprehur aspirata për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore, ajo bën pjesë në Programin për Partneritet për Paqe dhe Beogradi po ashtu është anëtar i Këshillit të Bashkëpunimit Euroatlantik (EAPC), i cili synon bashkëpunimin politik mes shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të Partneritetit.
“Kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së [ish-udhëheqësit serb, Sllobodan] Millosheviqit, e cila është njëjtë sot, siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha Osmani.
Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në NATO dhe fillimisht po kërkojnë që të bëhen pjesë e Programit për Partneritet për Paqe.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.
NATO ka thënë se ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.
Partneriteti për Paqe përfshin shumë fusha të aktivitetit të NATO-s, sikurse: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1.600 aktivitete.
Pikërisht, në kuadër të këtij programi, më 1999 disa shtete dërguan forca paqeruajtëse Kosovë në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Atëbotë ishin vendosur në Kosovë afër 50.000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s.
Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.700 trupa në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë./REL
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...