Ortek në Itali, vret dy skiatorë

16:54 | 30 Nëntor 2019
Arditë Shkodra

Rënia e një orteku dëbore në masivin malor të Monblanit ka vrarë të paktën 2 skiatorë italianë. Aksidenti u raportua jashtë pistës normale ku po lëviznin dy viktimat. Ambientet për ski do të qëndrojnë të hapura por nën monitorim.

Shkëputja e një orteku bore u ka marrë jetën të paktën dy skiatorëve në alpet italiane.

Ngjarja u shënua në majën e masivit malor Monblan që zgjatet mes Francës, Italisë dhe Zvicrës.

Fatkeqësia u raportua nga një skiator që në kohën e aksidentit po rrëshqiste afër vendngjarjes.

Trupat e dy shtetasve italianë 28 dhe 32 vjeç u gjetën të zhytur nën dëborë në lartësinë 3 mijë metra.

Mësohet se viktimat, prej të cilëve njëri mjeshtër i skive, po e ushtronin aktivitetin sportiv jashtë pistës.

Goditja nga grumbulli i borës ndodhi në një majë 500 metra poshtë stacionit të teleferikut.

Një ortek i dytë u rrëzua pak minuta më vonë.

Autoritetet thanë se ambientet mbeten të hapura për skiatorët, edhe pse nën monitorim të rreptë.

Sipas tyre, tragjedia ka prishur imazhin e një prej sezoneve më pozitive nga pikëpamja e faktorëve teknikë, si reshjet e dëborës dhe temperaturat.

Maja “Helbronër” ku ndodhi aksidenti ndodhet mbi 3,400 metra mbi nivelin e detit dhe afër teleferikëve panoramikë të “Skajuejit”, nga më të lartët në Europë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme