Organizata Trump dhe shefi i financave deklaruan të enjten pafajësinë ndaj akuzave për evazion fiskal pas një hetimi dyvjetor lidhur me transaksionet e kompanisë së ish-Presidentit Donald Trump.
Akuzat e ngritura janë çështja e parë penale e hapur bazuar në këto hetime të autoriteteve të Nju Jorkut. Sipas aktpadisë së paraqitur të mërkurën dhe të bërë publike të enjten, nga 2005 deri këtë vit, Allen Weisselberg dhe kompania Trump zhvatën shtetin dhe qytetin e Nju Jorkut duke paguar në të zezë drejtuesit e lartë, që të shmangnin pagimin e taksave.
Prokurori Carey Dunne foli për një skemë 15 vjeçare “të orkestruar nga drejtuesit më të lartë” me përmasa të mëdha dhe tepër e guximshme.
Ish-Presidenti Trump nuk është nën akuza në këtë fazë të hetimeve që po zhvillohen nga Prokurori i Manhatanit Cyrus Vance dhe Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James, të dy demokratë. Zoti Dunne theksoi se politika nuk ka luajtur rol në vendimin për ngritjen e akuzave.
73-vjeçari Weisselberg u dorëzua tek autoritetet të enjten herët në mëngjes përpara se t’i bëheshin të ditura akuzat e ngritura ndaj tij dhe organizatës së ish-Presidentit Donald Trump. Ai shihet në transmetimet mediatike duke shkuar në gjykatë në 6 të mëngjesit. Ai u shoqërua nga ndërtesa e gjykatës me pranga në duar pasdite.
Avokatët e tij thanë se kanë në plan “t’u kundërpërgjigjen akuzave në gjyq”.
Akuzat kanë të bëjnë me përfitimet që kompania u ka dhënë drejtuesve të lartë, sikurse përdorimin e apartamenteve, makinave dhe pagesave për shkollim.
Zoti Weisselberg ndodhej nën hetime, pjesërisht, për shkak të pikëpyetjeve në lidhje me përdorimin nga ana e djalit të tij të një apartamenti të zotit Trump për të cilin paguante fare pak ose aspak.
Djali, Barry Weisselberg, i cili administronte një pistë patinazhi nën pronësi të zotit Trump, në një nga zonat e njohura të Nju Jorkut në Central Park, gjatë një dëshmie për divorc në 2018, shprehej se apartamenti i zotit Trump ishte “i korporatës dhe për këtë arsye nuk paguante qera”.
Ish-bashkëshortja e tij, Jen Weisselberg, ka bashkëpunuar me të dy hetimet dhe u ka dhënë hetuesve të dhëna mbi taksat e dokumente të tjera.
Çështja penale kundër Allen Weisselberg-ut, një besnik i zotit Trump dhe babait të tij Fred Trump, një biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme, mund t’u japë prokurorëve mjetet për të ushtruar presion ndaj tij që ta detyrojnë të bashkëpunojë për të treguar ato çka di mbi marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump./voa/
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...