Në veri të Tajlandës vazhdojnë punimet për evakuimin e 12 fëmijëve futbollistë dhe trajnerit të tyre të cilët u gjetën në një shpellë në provincën veriore Chiang Rai, nëntë ditë pasi ishin zhdukur teksa vizitonin shpellën si ekip, transmeton Anadolu Agency (AA).
Guvernatori i provincës Chiang Rai, Narongsak Osatanakorn tha se kushtet e volitshme të cilat janë krijuar pas pushimit të reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit dhe uljes relative të nivelit të ujit në shpellë, nesër mund të ndryshojnë për shkak të shiut që pritet të bie. Për këtë arsye, guvernatori tha se po përgatiten për evakuimin e fëmijëve nga shpella.
Ai tha se gjatë fundjavës pritet që në rajon të arrijnë dy grupe të formuara nga zhytës ekspertë për operacionin e evakuimit. “Që nga fillimi plani ynë ishte evakuimi sa më shpejtë i fëmijëve. Këtu faktori përcaktues ishte të gjendet një moment kur niveli i ujit në shpellë është i ulët aq sa të jetë e mundur. Aktualisht niveli i ujit ka rënë në një masë. Por, nuk e dimë se çfarë rreziqe mund të shkaktojë ringritja e nivelit të ujit me fillimin e reshjeve”, tha Osatanakorn.
Deklaratat e guvernatorit nxitën komente në drejtim të asaj që fëmijët mund të evakuohen me një operacion emergjent para reshjeve që priten të fillojnë në fundjavë.
Trajneri i ri kërkoi falje nga familjet
Trajneri 25 vjeçar i fëmijëve, Ekapol Chanthawong me një letër të shkruar kërkoi falje nga familjet e fëmijëve. Trajneri në letër ka shkruar se “Të dashur prindër, fëmijët tuaj, të gjithë janë mirë, ekipet po kujdesen mirë për ta. Mund të jeni të sigurtë se po kujdesem më së miri që mundem për ta. Falënderoj të gjithë që na mbështesin dhe kërkoj falje nga të gjithë familjet për këtë shqetësim që kemi shkaktuar”.
“Kur të dalim nga këtu do të shkojmë për të ngrënë pulë të pjekur”
Në anën tjetër 12 fëmijë dhe trajneri i tyre, të cilët shoqërohen nga komandat detare, nëpërmjet zhytësve u kanë dërguar letra familjeve të tyre.
Edhe fëmijët u kanë treguar familjeve të tyre se janë në gjendje të mirë.
Njëri nga fëmijët në letër ka shkruar se “Unë jam mirë, këtu temperaturat janë pak të ulëta, por mos u shqetësoni. Përgatiteni ahengun për ditëlindjen time”.
Ndërsa djaloshi me emrin Tun ka shkruar: “Nënë dhe baba, unë jam mirë, ju lutem mos u shqetësoni. Tregojini Yodit (shokut) që kur të dal nga ky vend, do të shkojmë për të ngrënë pulë të pjekur. Me dashuri”.
Edhe një fëmijë tjetër me emrin Mick në letrën e tij ka shkruar: “Më ka marrë malli për të gjithë. Gjysh, axhë, nënë, baba dhe vëllezër/motra. Unë jam brenda, komandat detare po kujdesen mirë për ne. Ju dua të gjithëve”.
Po ulet niveli i oksigjenit
Ekipet e shpëtimit janë shqetësuar për uljen e nivelit të oksigjenit brenda shpellës. Niveli i oksigjenit, i cili në kushte normale duhet të jetë 21 për qind, në shpellë ka rënë deri në 15 për qind. Ekipet, kundër mundësisë së rënies së mëtejmë të nivelit të oksigjenit, në shpellë kanë vendosur një pompë të ajrit.
Niveli kritik i ujit
Ekipet për kërkim dhe shpëtim po luftojnë me kohën për uljen e nivelit të ujit në shpellë para reshjeve të dendura, të cilat priten gjatë fundjavës. Ekipet përpiqen të ulin nivelin e ujit përmes pompave të drenazhit, duke e mbajtur atë në nivel që grupi të arrijë të dalë në mënyrë të sigurtë nga shpella.
Kalimet dhe galeritë në mes të hyrjes së shpellës dhe pikës ku fëmijët kanë mbetur të bllokuar, janë të mbuluara me ujë deri lartë. Për këtë arsye zhytja shihet si mundësia e vetme për evakuimin e fëmijëve.
Nga kjo shpellë, galeritë dhe kalimet e së cilës janë të mbuluara me ujë, edhe zhytësit profesionalë nuk arrijnë të dalin për disa orë. Për këtë arsye evauikimi i fëmijëve të cilët nuk janë të trajnuar për zhytje, përbën rrezik të madh.
Në shpellë ka kalime aq të ngushta, sa që një zhytës nuk mund të kalojë me tubin e oksigjenit.
Guvernatori Narongsak në një deklaratë ditë më parë tha se ndjejnë shqetësim nga rritja e nivelit të ujit brenda shpellës, për shkak të reshjeve të shiut që priten gjatë fundjavës. Narongsak, duke parë mundësinë e evakuimit emergjent të fëmijëve, ka udhëzuar që në shpellë të mbahen 13 kostume dhe pajisje për zhytje.
Nga jashtë bëhet përpjekje të hapet vakuum
Ndërkohë vazhdojnë punimet për hapje të vakumeve për të mundësuar një hyrje alternative në shpellë. Me këtë qëllim ekipet kanë hapur 100 puse në malin ku ndodhet shpella. Vlerësohet se 18 prej tyre mund të kenë mundësinë e arritjes në shpellë. Mirëpo, në mes të pikës ku fëmijët kanë mbetur të bllokuar dhe sipërfaqes së malit ekziston një distancë prej rreth 800 deri në 1.000 metra.
Kujtojmë se ekipi i futbollit prej 12 fëmijësh të moshës nga 11 deri në 16 vjeç dhe trajneri i tyre 25 vjeçar gjatë një vizite në shpellën Tham Luang Nang Non më 23 qershor u bllokuan pasi hyrjet në shpellë u përmbytën. Grupi u gjet pas 9 ditësh por nuk mund t’i nxjerrin për shkak të sasisë së madhe të ujit në shpellë.
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...