Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bisedoi për bashkëpunimin dypalësh në një numër fushash me zyrtarët e lartë të Bosnjë e Hercegovinës më 4 prill, teksa vendi i tij po përgatitet ta marrë presidencën e Bashkimit Evropian më vonë këtë vit.
Orbani u takua me Borjana Kristos, presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, si dhe me zyrtarët e Presidencës së Bosnjës gjatë vizitës së tij në Sarajevë.
Pas takimit me Kristos, Këshilli i Ministrave tha se të dyja palët u pajtuan se nevojitet rritja e tregtisë mes dy vendeve.
Presidenca tha se Orbani dhe zyrtarët e saj biseduan për bashkëpunimin dypalësh në arsim, kulturë, bujqësi, energji, telekomunikacion dhe fusha të tjera. Ajo shtoi se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur bisedimet me Bosnjën është nxitje për vendin që t’i vazhdojë reformat.
Liderët e BE-së u pajtuan më 21 mars për t’i hapur bisedimet për anëtarësim me Bosnjën, por thanë se atë e pret “punë e madhe” për t’u pranuar në bllok.
Hungaria do ta marrë presidencën e BE-së më 1 korrik.
“Janë shprehur pritje se do të ketë përparim në procesin e anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës në BE gjatë kryesimit të bllokut nga Hungaria në pjesën e dytë të vitit 2024, dhe se konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet sa më shpjet”, tha Presidenca boshnjake në një komunikatë.
Orbani mbërriti vonë në Banja Llukë, ku u takua me Millorad Dodikun, presidentin prorus të Republikës Sërpska.
Lideri populist hungarez është njëri prej aleatëve kryesorë të Dodikut dhe njëri prej politikanëve të pakët të NATO-s dhe BE-së që ka vullnet të takohet me të.
Dodik, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të përpjekjeve për ta minuar Marrëveshjen e Dejtonit, kishte thënë më herët se Orbani do ta pranonte një çmim nga Republika Sërpska gjatë vizitës së tij.
Hungaria ia ka premtuar Republikës Sërpska 100 milionë euro ndihmë.
Republika Sërpska gjithashtu i mori hua 140 milionë euro nga banka hungareze Export-Import në dy raste për ta mbuluar deficitin në buxhetin e entitetit dhe për t’i shlyer borxhet pjesërisht./REL/
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...