Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha më 19 korrik se Ursula von der Leyen është “një punonjëse” dhe jo kundërshtare.
Von der Leyen, e cila më 18 korrik u rizgjodh edhe për një mandat në postin e presidentes të Komisionit Evropian, ka qenë kritike e vazhdueshme e raporteve të ngushta të Orbanit me Moskën, por edhe për ngecjet në demokraci në Hungari.
Orban, shteti i të cilit më 1 korrik mori udhëheqjen e presidencës së BE-së, vazhdimisht ka kundërshtuar mbështetjen evropiane për Ukrainën dhe sanksionet e vendosura kundër Moskës.
Më herët gjatë këtij muaji, ai realizoi një “mision të paqes”, duke vizituar Moskën dhe Pekinin, vizita këto që u kritikuan nga presidentja e KE-së, por edhe nga liderë të tjerë të bllokut evropian. Ai më pas u takua edhe me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Von der Leyen nuk është kundërshtarja jonë politike, ajo është punonjësja jonë dhe e juaja”, tha Orban, gjatë një interviste për radion shtetërore hungareze më 19 korrik.
“Detyra e saj është të zbatojë linjën e përcaktuar nga kryeministrat. Pasi ajo merr rrogën nga shtetet anëtare, ajo është në një raport varësie”, tha Orban.
Deklaratat e Orbanit vijnë një ditë pasi von der Leyen, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian para votimit për rizgjedhje, i kritikoi vizitat e realizuara nga Orbani.
Orban po ashtu u bëri thirrje krerëve të BE-së që të jenë më efektiv që ta mbajnë “përgjegjëse” von der Leyen, duke shtuar se performanca e saj ka qenë “shumë e dobët”.
Nën udhëheqjen e partisë Fidesz të Orbanit – që ka qenë në pushtet në Hungari që nga viti 2010 – Hungaria është akuzuar për dobësim të sundimit të ligjit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për rritje të rasteve korruptive. Fonde të BE-së, në vlerë prej miliarda eurosh, të dedikuara për Hungarinë janë bllokuar nga BE-ja për shkak të këtyre shqetësimeve./REL
Përurohet sot renovimi në hemodializën të Spitalit në Prizre...
Parashikimi i motit për sot
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...