Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, do të takohet me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten, më 8 mars në Florida, pak pasi ai haptazi mbështeti aleatin e tij të kamotshëm në përpjekjet e tij për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane që mbahen më vonë gjatë këtij viti.
Orban, politikan i krahut të djathtë i cili vazhdimisht konfrontohet me Bashkimin Evropian për shkak të fushatave të tij kundër migrantëve dhe për shkak të vendimeve që kanë vendosur gjyqësorin, organizatat joqeveritare dhe mediat nën kontrollin e shtetit, është përshkruar nga Trumpi si “lider i madh”.
Politikat konservatore të Orbanit sa i përket familjes kanë bërë që ai të vlerësohet nga figurat populiste në SHBA dhe Hungaria viteve të fundit ka mbajtur takimet e Konferencës Konservatore për Veprim Politik (CPAC).
Muajin e ardhshëm, për herë të tretë do të mbahet kjo konferencë.
Kryeministri hungarez, që ka refuzuar të dërgojë armë në Kiev dhe ka mbajtur raporte të ngushta tregtare me Rusinë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, vazhdimisht ka thënë se vetëm me kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të arrihet paqja në Ukrainë.
“Nuk është kumar, por është të vësh bast në shansin e vetëm të arsyeshëm dhe ne në Hungari vëmë bast për rikthimin e presidentit Trump”, tha Orban gjatë një forumi ekonomik të hënën.
“Shansi i vetëm për botën që të ketë një marrëveshje relativisht të shpejtë të paqes është ndryshimi politik në SHBA, dhe kjo lidhjet me atë se kush është president”.
Trump, që po garon për një mandat presidencial, shkaktoi zemërim në mesin e aleatëve perëndimorë muajin e kaluar pasi sugjeroi se SHBA-ja mund të mos mbrojë aleatët e NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje nga një pushtim i mundshëm rus.
Orban ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor do të jenë thelbësore pasi konservatorët në Evropë dhe SHBA-ja duhet të luftojë së bashku për të “ripushtuar” institucionet në Uashington dhe Bruksel nga liberalët, të cilët, sipas Orbanit, kërcënojnë civilizimin perëndimor.
Orban, që është në pushtet që nga viti 2010, është përballur me tensione me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, kryesisht për shkak të zvarritjes së miratimit të pranimit të Suedisë në NATO.
Pas një vonese të gjatë, javën e kaluar Parlamenti hungarez miratoi pranimin e Suedisë në NATO dhe legjislacioni pritet të nënshkruhet nga presidenti hungarez gjatë kësaj jave./rel/
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...