Lajm i mirë për Julian Assange – lajm i keq për lirinë e shtypit. Refuzimi i ekstradimit të Assange duhej të qe bërë prej kohësh. Por arsyetimi ishte i pamjaftueshëm, mendon Matthias von Hein.
Duket thuajse si një mrekulli. Pas një gjykimi kryesisht të padrejtë, gjyqtarja Vanessa Baraitser në Londër refuzoi të ekstradojë themeluesin e WikiLeaks Julian Assange në SHBA. Pasi gjyqësori britanik kishte penguar gazetarin e vlerësuar investigativ në çdo pikë të mbrojtjes së tij, shumica e vëzhguesve supozonin se gjyqësori britanik do të sakrifikonte në altarin e “marrëdhënieve speciale” me SHBA-në jo vetëm pavarësinë e vet, por edhe të drejtat e Julian Assange dhe lirinë e shtypit. Pra duhet të gëzohemi që kjo nuk ndodhi. Por kjo nuk është arsye për t’u lehtësuar.
Liria e shtypit vazhdon të kërcënohet
Londra nuk doli në mbrojtje të gazetarisë hulumtuese. Në vendimin e saj gjyqtarja Baraitser iu referua ekskluzivisht kushteve çnjerëzore me të cilat mund të përballet Assange në SHBA dhe rrezikut që ai mund të bënte vetëvrasje.
Ajo në mënyrë specifike i kundërshtoi argumentet e mbrojtjes se australiani përndiqet për shkak të aktivitetit të tij gazetaresk, se publikimi prej tij i dokumenteve të luftës dhe krimeve të tjera amerikane ishin në interes të publikut, se ndjekja penale e Assange ishte e motivuar politikisht dhe aspak një proces normal kriminal. Shkurtimisht: ajo ndoqi në pothuajse të gjitha pikat deklaratat e qeverisë amerikane. Në këtë mënyrë vazhdojnë të kërcënohen së pari Julian Assange dhe së dyti liria e shtypit.
Ndërhyrje nga ekipi Joe Biden?
Disa mendojnë se vendimi i gjyqtares britanike mund të lidhet me ndonjë ndërhyrje të ekipit të presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, që duhet t’u ketë bërë të qartë britanikëve, që ata nuk janë të interesuar të fillojnë ndonjë proces kundër themeluesit të WikiLeaks, sepse ky mund të dëmtonte reputacionin e SHBA-së.
Niveli në të cilën përndjekja e Assange ka tronditur pozicionin e Perëndimit si mbrojtës i vlerave humanitare u bë e qartë jo më vonë se nëntori. Një korrespodente e BBC e konfrontoi Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev me pyetje kritike rreth lirisë së shtypit në vendin e tij. Reagimi i tij qe, se nëse mbajmë parasysh trajtimin e Assange, Britania e Madhe nuk ka të drejtë të fyejë shtetet e tjera lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit.
Lirim në arrest shtëpie
Po si do të vazhdojë historia më tej? Qeveria amerikane ka njoftuar se do ta apelojë vendimin. Dhe deri sa procesi të ketë kaluar përmes gjithë instancave mund të kalojnë vite. Këtë kohë Assange nuk duhet ta kalojë në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh. Nils Melzer, raportuesi special i OKB për torturat, i ka denoncuar kushtet e kësaj “Guantanamoje britanike” dhe i ka barazuar me torturat. Assange është mbajtur në izolim atje për një vit e gjysmë – pa qenë i dënuar për ndonjë krim.
Si hap i parë, Assange duhet të lirohet më në fund në arrest shtëpie për të pritur rezultatin e proceseve. Nuk është e qartë pse një gazetar hulumtues trajtohet më keq në paraburgim sesa një vrasës masiv: ish-diktatori i Kilit, Augusto Pinochet, për shembull, u lejua ta priste procedurën e ekstradimit në arrest shtëpie në një vilë luksoze pranë Londrës.
Po ashtu është e rëndësishme që edhe opinioni publik, i cili i zgjua me vonesë, të vazhdojë të ushtrojë presion pas vendimit të fundit në çështjen Assange. Julian Assange dhe liria e shtypit e meritojnë këtë./dw
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...