Operacionet kundër FETO-s në Turqi, arrestohen 32 persona

18:43 | 9 Prill 2022
Artan Maliqi

I dyshuari shtetasi amerikan M.M.A. të dyshuarit të dytë M.S. i dërgoi 200 mijë dollarë përmes një sistemi të quajtur “Hawala” dhe këto para më vonë iu shpërndanë familjeve të të ashtuquajturve krerë të FETO-s në burg.

Gjatë një operacioni të forcave të sigurisë në tre qytete të Turqisë janë arrestuar 12 persona të dyshuar për mbështetje financiare të organizatës terroriste FETO ndërsa për 5 prej tyre është caktuar paraburgim, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetari i AA-së mori informacione për aktivitetet e 12 të dyshuarve, mes të cilëve një shtetas amerikan, të cilët u ndaluan në Mersin, Stamboll dhe Balikesir për dyshimet se kanë ofruar mbështetje financiare për anëtarët e FETO-s.

Nga hetimet u konstatua se i dyshuari, shtetasi amerikan M.M.A., me banim në Stamboll, të dyshuarit M.S. i cili jeton në Mersin, i dërgoi 200 mijë dollarë përmes një sistemi të quajtur Hawala, të cilin institucionet zyrtare nuk kanë mundur ta regjistrojnë.

Po ashtu u konstatua se M.S. ua shpërndau paratë familjeve të të ashtuquajturve krerë të FETO-s në burg, anëtarëve të organizatës dhe personave të lidhur me FETO-n.

Më tej theksohet se këto aktivitete janë kryer me qëllim të rritjes së besnikërisë së anëtarëve të organizatës FETO.

Të arrestuarve M.S., I.A., O.A.G., V.K. dhe B.U.K. dhe shtetasit amerikan M.M.A., u është caktuar masa e paraburgimit ndërsa të tjerët janë liruar.

Në një tjetër operacion kundër anëtarëve të FETO-s, u arrestuan të paktën 20 persona, të cilët u zbulua se kishin përdorur ByLock, sistemin e komunikimit të mesazheve të koduara, i cili përdoret për komunikim mes anëtarëve të FETO-s.

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit të dështuar në Turqi natën e 15 korrikut 2016.

Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, me seli në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme