E dërguara e përgjithshme e OKB-së në Mianmar, Christine Schraner Burgener, ka deklaruar se situata në shtetin Rakhinë të Mianmarit nuk është e favorshme për riatdhesimin e refugjatëve Rohingya, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportuan se pas një vizite 10-ditore në Mianmar, Burgener dje në Dhaka takoi sekretarin e Jashtëm të Bangladeshit, M Shahidul Haque. Në takimin me sekretarin e Jashtëm të Bangladeshit, Burgener përshkroi realitetin në terren në shtetin Rakhinë si “jo të favorshëm për riatdhesim”.
Gjatë vizitës së saj në Rakhinë, ajo realizoi takime me zyrtarët qeveritarë të Mianmarit, grupe diplomatike, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ndërkombëtare si dhe ekipin e OKB-së në Mianmar.
Megjithatë, Burgener vizitoi vendet e lejuara vetëm nga qeveria e Mianmarit dhe kishte qasje të kufizuar në shtetin Rakhinë.
Gjatë ditës së sotme, Burgener planifikon të vizitojë kampet e refugjatëve Rohingya në Cox’s Bazar të Bangladeshit.
Në një zhvillim tjetër, Mianmari pritet të dërgojë një delegacion të udhëhequr nga sekretari i Jashtëm, Myint Thu, për të vizituar kampet në Cox’s Bazar.
– Persekutimi i popullit Rohingya
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti thotë se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë mysliman në gusht të vitit 2017.
OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.