OKB: Marrëveshja e paqes për Sirinë, ende vështirë të arrihet

10:14 | 1 Prill 2017
Arbresh.info

I dërguari për Sirinë i Kombeve të Bashkuara tha se raundi i pestë i bisedimeve të paqes ndërmjet liderëve opozitarë dhe atyre qeveritarë, ka shënuar përparim, por paralajmëroi se deri tek arritja e një marrëveshjeje për paqe, mbetet një rrugë e gjatë për t’u bërë.

Staffan de Mistura tha pas përfundimit të nëntë ditëve të bisedimeve në Gjenevë se palët dëshirojnë të mbajnë një raund të ri të bisedimeve, por për këtë, ai tha se akoma nuk është caktuar ndonjë datë, transmeton rel.

Negociatorët e opozitës dhe ata të qeverisë janë takuar ndaras me de Misturën, i cili tha se është i kënaqur që asnjëra palë nuk u largua nga bisedimet.

Bisedimet e paqes, shtoi ai, janë ende në fazën përgatitore dhe njoftoi se janë të përqendruar në katër çështje: qeverisjen, hartimin e një kushtetute të re, zgjedhjet dhe luftën kundër terrorizmit.

“Në secilat bisedime, janë disa çështje të caktuara që duhet të përgatiten… përpara se bisedimet e vërteta të fillojnë. Dhe, është e qartë se ne ende nuk kemi arritur aty”, tha ai.

I dërguar i OKB-së për Sirinë, shprehu shqetësimin për statutin e marrëveshjes së armëpushimit të arritur nga Rusia, Irani dhe Turqia. Ai iu bëri thirrje këtyre shteteve, të cilat po sponsorizojnë biedimet në Astana të Kazakistanit, që të “ringjallin armëpushimin”.

Luftimet në Siri janë intensifikuar gjatë dy javëve të fundit.

Grupet rebele kanë nisur një ofensivë në qarqet e kryeqytetit Damask dhe kanë arritur të marrin nën kontroll disa fshatra pranë kryeqytetit provincial, Hama.

Por, përmes një kundërofensive, forcat qeveritare siriane arritën të rimarrin shumicën e territorit të humbur.

Lufta në Siri, që ka filluar më 2011, deri më tani vlerësohet se ka lënë të vdekur mbi 300,000 njerëz dhe miliona të tjerë janë të zhvendosur.

Rusia dhe Irani mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërkaq Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin grupe të ndryshme rebele që luftojnë kundër forcave qeveritare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme