Google ADS

OKB: Lufta në Ukrainë është një “kambanë alarmi” për të përmirësuar sistemin global energjetik

11:22 | 18 Maj 2022
Fjolla Bajraktari

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka njoftuar një plan për të përshpejtuar përdorimin e energjisë së rinovueshme, duke thënë se lufta në Ukrainë ishte një kambanë alarmi për globin që të heqë dorë nga karburantet fosile, shkruan CNN.

Duke folur në prezantimin e raportit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë për Ndryshimet Klimatike, Guterres i përshkroi raportet si ” dështim të njerëzimit për të trajtuar ndryshimet klimatike “.

“Sistemi global i energjisë nuk po funksionon siç duhet dhe po na afron gjithnjë e më shumë me katastrofën klimatike. Lëndët djegëse fosile janë një rrugë pa krye, nga ana mjedisore dhe ekonomike,” tha ai.

“Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj të menjëhershme në çmimet e energjisë janë një tjetër kambanë alarmi. E vetmja zgjidhje është energjia e rinovueshme.

Ne duhet t’i japim fund ndotjes nga karburantet fosile dhe të përshpejtojmë tranzicionin e energjisë së rinovueshme, përpara se të djegim shtëpinë tonë të vetme,” tha ai, duke shtuar “koha po mbaron”.

Në planin e tij, Guterres propozoi:

1.Që teknologjitë e energjisë së rinovueshme, të tilla si ruajtja e baterive, të trajtohen si “mallra publike globale thelbësore dhe të disponueshme kudo”. Ai bëri thirrje për formimin e një koalicioni global për ruajtjen e baterive për të përshpejtuar inovacionin, të udhëhequr nga qeveritë dhe duke bashkuar kompanitë e teknologjisë, prodhuesit dhe financuesit.
2.Qeveritë duhet të rrisin dhe deversifikojnë furnizimin e komponentëve kritikë dhe lëndëve të para për teknologjitë e energjisë së rinovueshme.
3.Qeveritë duhet të reformojnë burokracitë për të barazuar kushtet e lojës për burimet e rinovueshme.
4.Qeveritë duhet t’i zhvendosin subvencionet nga lëndët djegëse fosile për të mbrojtur të varfërit dhe njerëzit dhe komunitetet më të cenueshme.
5.Investimet private dhe publike në energjinë e rinovueshme duhet të trefishohen në të paktën 4 trilion dollarë në vit.
/abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme