OKB kritika Britanisë mbi ligjin për imigrantët që do të dërgohen në Ruandë

16:30 | 24 Prill 2024
KRG

Pas disa vitesh përplasje politike dhe betejash gjyqësore, ligjvënësit britanikë miratuan këtë javë ligjin me anë të të cilit qeveria shpreson të ndalë flukset migratore që vijnë në vend përmes Kanalit të La Manshit. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, migrantët do të dërgohen në Ruandë, ku do t’i nënshtrohen procesit të përpunimit të dokumentave. Ligji u miratua edhe pse në parlament u risollën në vëmendje rreziqet me të cilat përballen imigrantët që mbërrijnë në Britani me varka të vogla e gomone.

Pesë persona humbën jetën, mes tyre dhe një fëmijë, kur një gomone e mbingarkuar që transportonte imigrantë u gjend në vështirësi në brigjet franceze të martën në mëngjes. Një kujtesë e hidhur e rreziqeve me të cilat përballen imigrantët, teksa kalojnë Kanalit e La Manshit.

Autoritetet franceze thonë se në bord ndodheshin 112 persona.

“Pavarësisht situatës komplekse dhe delikate arritëm të shpëtojmë 57 persona. Të tjerët, ia dolën të rindezin motorin, e të vazhdojnë udhëtimin drejt Britanisë”, tha Jacques Billant, Prefekti i rajonit Pas-de-Calais.

Raste të ngjashme, të emigrantëve që vazhdojnë udhëtimin pavarësisht rreziqeve, nuk janë të rralla. Deri më tani këtë vit, mbi 6,300 persona kanë ndërmarrë udhëtimin me varka të vogla drejt Britanisë. Incidenti ndodhi vetëm disa orë pasi ligjvënësit britanikë miratuan ligjin që synon të dërgojë në Ruandë të gjithë azilkërkuesit që mbërrijnë përmes Kanalit të La Manshit.

Imigrantët do të përpunohen në Ruandë dhe nuk do të kenë të drejtë të kthehen në Britani, madje edhe ata, të cilëve do t’u jepet statusi i refugjatit. Ligji udhëzon gjykatat të injorojnë ligjet ekzistuese britanike ose traktatet ndërkombëtare që mund të bllokojnë dëbimet. Nuk është ende e qartë nëse sfidat e mëtejshme ligjore, mund të vonojnë nisjen brenda pak javësh të imigrantëve me fluturime të posaçme drejt Ruandës.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se dërgimi i migrantëve mijëra kilometra larg, do t’i pengojë të tjerët të vijnë në Britani.

“Avioni i parë do të niset pas rreth 12 javësh. Sigurisht që kjo është më vonë nga ajo që ne do të donim të ndodhte. Por kemi qenë gjithmonë të qartë se procesi i përpunimit do të kërkojë kohë”, tha ai.

Qeveria thotë se kjo polikë është e bazuar në moral, pasi synon t’i japë fund udhëtimeve të rrezikshme që operohen nga kontrabandistët e qënieve njerëzore. Por Kombet e Bashkuara i bënë thirrje Britanisë ta rishikojë këtë çështje.

“Duke shmangur përgjegjësisë për refugjatët, duke reduktuar aftësinë e gjykatave britanike për të shqyrtuar vendimet për dëbim, duke kufizuar qasjen në mjetet juridike në vend si dhe gamën e mbrojtjes të drejtave të njeriut për një grup të caktuar njerëzish, ky ligj i ri pengon seriozisht sundimin e ligjit në Britani dhe përbën një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar”, tha zëdhënësja e OKB-së, Ravina Shamdasani.

Sipas marrëveshjes, Britania do t’i paguajë Ruandës të paktën 458 milionë dollarë gjatë pesë viteve, duke dhënë edhe pagesa shtesë, në vlerë prej dhjetëra mijëra dollarësh, për çdo imigrant të dërguar në këtë vend. Opozita e ka quajtur ligjin një marifet të kushtueshëm, që nuk do të funksionojë. Miratimi i tij pas disa vite vonesash shihet një fitore politike për kryeministrin Rishi Sunak.

Por nëse ligji do të arrijë t’i ndalë imigrantët të ndërmarrin udhëtime te rrezishme e vdekjeprurëse, nëpërmjet Kanalit të La Manshit, kjo mbetet për t’u parë./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme