Inspektorët nga agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara kanë gjetur grimca të uraniumit të pasuruar deri në gati 84 për qind në një central nëntokësor të pasurimit të uraniumit në Fordo të Iranit.
Kështu konfirmoi më 28 shkurt drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi.
Grossi konfirmoi se grimcat e uraniumit kishin nivel të pastërtisë prej 83.7 për qind, që është pak nën nivelin prej 90 për qind pastërti që kërkohet për prodhimin e armëve bërthamore. Kjo ka rritur shqetësimet se Irani mundet që shpejt të përdorë këtë material për të prodhuar bombë bërthamore.
Grimcat e uraniumit me këtë nivel të pastërtisë u gjetën në janar gjatë inspektimeve në uzinën për pasurimin e uraniumit, Fordov, tha agjencia e OKB-së, duke shtuar se ka biseduar me Iranin për të sqaruar origjinën e këtij uraniumi.
Autoritetet në Iran i kanë shpjeguar agjencisë se uraniumi me këtë nivel kaq të lartë të pasurimit ishte rezultat i “veprimeve të paqëllimshme”.
Zëdhënësi i programit civil bërthamor të Iranit, Behrouz Kamalvandi, javën e kaluar tentoi ta portretizonte këtë gjetje si efekt momental i procesit për të arritur në pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind pastërti.
Megjithatë, ekspertët kanë argumentuar se një ndryshim kaq i madh i nivelit të pastërtisë ishte i dyshimtë për inspektorët.
Informacioni lidhur me gjetjen e grimcave të uraniumit, që u paraqit në një raport të agjencisë së OKB-së, u zbulua më 28 shkurt.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, prej së cilës Shtetet e Bashkuara u tërhoqën më 2018, kufizonte pasurimin e uraniumit të Iranit në 3.67 për qind. Bisedimet për ringjalljen e kësaj marrëveshjeje janë bllokuar për muaj të tërë.
Pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, Irani nisi të shkelte kufizimet e vendosura në marrëveshjen bërthamore që arriti me fuqitë botërore. /rel
Jashari takohet me shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosu...
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...