Google ADS

OKB kërkon nga Mianmari veprime për kthimin e refugjatëve Rohingya

14:28 | 25 Maj 2019
Arbresh.info

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët, Filippo Grandi, ka kërkuar nga Mianmari të ndërmarrë veprime për t’u mundësuar refugjatëve Rohingya në Bangladesh, por edhe të zhvendosurve brenda vendit, kthimin në mënyrë të sigurt në shtëpi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një raport të UNHCR-së thuhet se Grandi bëri thirrjen gjatë takimeve konstruktive me këshilltaren shtetërore të Mianmarit, Daw Aung San Suu Kyi si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë, gjatë një vizite pesë ditore në Mianmar, që përfundoi sot.

Grandi po ashtu nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Departamentin e Menaxhimit të Fatkeqësive në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Ndihmës dhe Zhvendosjes lidhur me aktivitetet më të gjera të UNHCR-së në të gjithë vendin.

Gjatë bisedimeve të tij, Grandi po ashtu inkurajoi Mianmarin të përshpejtojë verifikimin e rreth 98 mijë refugjatëve që qëndrojnë në Tajlandë për të lejuar zgjidhje të zgjeruara për këtë grup, nëpërmjet riatdhesimit ose qasjes ligjore në tregun e punës në Tajlandë.

– Persekutimi i popullit Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë mysliman në gusht të vitit 2017.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme