Google ADS

OKB-ja bën thirrje për ndaljen e dhunës në Irak

08:38 | 6 Tetor 2019
Arbresh.info

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që t’i jepet fund humbjes së pakuptimtë të jetës në Irak në kohën kur numri i personave të vrarë gjatë protestave i është afruar shifrës 100.

Protestuesit në Irak thonë se kanë dalë në rrugë për shkak të papunësisë, shërbimeve të dobëta publike dhe korrupsionit të lartë në qeveri.

Jeanine Hennis-Plasschaert, kryetare e Misionit Asistues të Kombeve të Bashkuara në Irak, tha: “Pesë ditë vdekje dhe lëndime, kjo gjë duhet të ndalet”, duke shtuar se personat përgjegjës për shkaktimin e viktimave duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Raportohet se pesë njerëz janë vrarë vetëm gjatë përleshjeve të fundit mes policisë dhe protestuesve në Bagdad. Thuhet se forcat e sigurisë përsëri kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba lufte.

Së paku 99 persona janë vrarë dhe rreth 99 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i protestave të martën e kaluar në kryeqytet para se ato të shpërndaheshin në pjesën jugore të vendit.

Kjo është kryengritja më e përgjakshme në Irak që nga shpallja e fitores kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik në vitin 2017.

Ndryshe, autoritetet irakiane janë përpjekur t’i kontrollojnë protestat përmes vendosjes së orës policore dhe ndërprerjes së internetit, shkruan “BBC”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme