Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte hapën hetimet e një sulmi të dyshuar kimik në provincën Idlib të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur së paku 58 veta.
Komisioni i OKB-së për Hetime e dënoi po ashtu sulmin e së martës.
Në deklaratën e tij dënohen edhe sulmet e dyshuara mbi një objekt mjekësor, ku po trajtoheshin viktimat e sulmit të dyshuar kimik.
“Të dyja veprimet do të llogariten si krime lufte dhe shkelje serioze e ligjit të të drejtave të njeriut”, thanë hetuesit e OKB-së.
I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, u tha gazetarëve në Bruksel se, në bazë të të gjithë treguesve, “sulmi ka qenë kimik dhe është kryer nga ajri”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme më 5 prill, për të diskutuar incidentin.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, tha se sulmi në qytetin Khan Sheikhoun, i cili kontrollohet nga rebelët, është kryer nga avionë të Qeverisë siriane, ose asaj ruse.
Të vrarët përfshijnë së paku 11 fëmijë.
Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, mohon se përdor armë kimike dhe akuzon rebelët për përdorimin e tyre.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se avionët e saj nuk kanë kryer asnjë sulm pranë qytetit Khan Sheikhoun./REL/
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...