OKB: Do të duhen vite për rimëkëmbjen globale nga COVID-19

09:20 | 4 Dhjetor 2020
L G

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të enjten se dëmi që COVID-19 ka bërë globalisht nuk do të zhbëhet vetëm nga një vaksinë dhe se një rimëkëmbje e plotë nga pandemia do të marrë vite, ndoshta dekada.

“Ndikimi social dhe ekonomik i pandemisë është jashtëzakonisht i madh dhe në rritje”, tha Antonio Guterres në një seancë të posaçme të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për vlerësimin e masave aktuale globale ndaj pandemisë së coronavirusit.

Një raport i OKB-së i lëshuar të enjten tha se rreth 32 milionë njerëz mund të shtyhen në varfëri ekstreme këtë vit nga pandemia.

OKB-ja është përpjekur të trajtojë pasojat, duke u dhënë ndihmë humanitare miliona njerëzve.

Shefi i OKB-së gjithashtu ka bërë presion për miratimin e një pakete stimuluese me vlerë të paktën sa 10 përqindëshi i PBB-së globale dhe për lehtësimin e borxhit për të gjitha vendet në nevojë.

Gati 80 krerë shtetesh po mbajnë fjalime në takimin dy ditor që po mbahet në internet, i cili do të përfshijë gjithashtu prezantime nga shkencëtarë, ekspertë dhe krerë të disa agjencive të OKB-së, përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Numri global i vdekjeve nga coronavirusi ka arritur në mbi 1.5 milionë, ndërsa numri i rasteve ka arritur në mbi 65 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Shpërndarja e vaksinave të para të aprovuara kundër COVID-19 pritet të fillojë këtë muaj.

Guterres ka bërë thirrje vazhdimisht për një qasje të barabartë tek vaksinat e coronavirusit për të gjitha vendet.

Në fund të prillit, OBSH-ja, së bashku me partnerët publikë dhe privatë, filluan nismën ACT-Accelerator dhe COVAX për vaksinat.

Nisma është e përqendruar në krijimin e kushteve për qasje të barabartë tek testet, trajtimet dhe vaksinat për të gjitha vendet e botës. Shefi i OKB-së, megjithatë, tha se kishte një mungesë financimi prej 28 miliardë dollarësh, përfshirë 4.3 miliardë dollarë që duheshin urgjentisht për dy muajt e ardhshëm.

Midis udhëheqësve që folën në samit ishte edhe Presidenti i Bashkimit Evropian, Charles Michel, i cili sugjeroi që vendet të nënshkruanin një traktat pandemie për të përmirësuar përgjigjen ndaj pandemive globale në të ardhmen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme