I dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sudanin u bëri thirrje gjeneralëve të vendit të respektojnë një armëpushim shtatëditor që filloi të hënën mbrëma. Ai shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve etnike në konflikt, duke theksuar se kjo mund ta çojë Sudanin në një luftë të zgjatur dhe të përhapur.
Volker Perthes i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se konflikti, i cili filloi më 15 prill, nuk ka treguar shenja të ngadalësimit pavarësisht gjashtë deklaratave të mëparshme të armëpushimit nga të dyja palët.
Të gjitha armëpushimet e mëparshme janë shkelur.
Armëpushimi i së hënës është i shtati që shpallet që nga shpërthimi i konfliktit mes ushtrisë sudaneze.
Duke folur disa orë përpara fillimit të armëpushimit, Perthes u bëri thirrje të dyja palëve të ndalojnë luftimet në mënyrë që ndihma humanitare e nevojshme të shkojë te personat në nevojë dhe civilët e që kanë mbetur në mes të fushbetejës të largohen të sigurt.
Perthes e quajti marrëveshjen për armëpushim “një zhvillim i mirëpritur”, por paralajmëroi se “luftimet dhe lëvizjet e trupave kanë vazhduar edhe sot, pavarësisht angazhimit të të dyja palëve për të mos ndjekur avantazhin ushtarak përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi”.
Perthes akuzoi të dy palët ndërluftuese për shpërfillje të ligjeve të luftës duke sulmuar shtëpitë, dyqanet, tempujt e besimtarëve dhe infrastrukturën e ujit dhe energjisë elektrike.
“Objektet shëndetësore po shemben dhe më shumë se dy të tretat e spitaleve janë të mbyllura, shumë punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë, furnizimet mjekësore po mbarojnë dhe objektet shëndetësore thuhet se përdoren si pozicione ushtarake”, tha ai.
Raportet e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, po ndiqen nga OKB-ja, tha ai.
“Raportet e plaçkitjeve të shfrenuara të shtëpive dhe bizneseve sudaneze, frikësimi, ngacmimi dhe zhdukja me forcë e banorëve janë thellësisht shqetësuese”, tha Perthes, duke shtuar se ambientet, rezidencat dhe magazinat e OKB-së gjithashtu janë plaçkitur.
Ai tha se aktiviteti kriminal është shtuar nga lirimi i mijëra të burgosurve dhe përhapja e armëve të lehta.
Intensiteti i dhunës ka qenë veçanërisht i rëndë si në kryeqytetin Kartum ashtu edhe në rajonin perëndimor të Darfurit, ku Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë një prani të konsiderueshme të armatosur.
Është raportuar se mbi 700 persona, përfshirë 190 fëmijë, kanë humbur jetën tragjikisht dhe rreth 6000 njerëz janë plagosur. Për më tepër, më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur, me një numër të konsiderueshëm që raportohet se janë të zhdukur.
Dimensioni etnik i konfliktit, veçanërisht në rajonin e trazuar të Darfurit, ka ngritur shqetësim të madh.
Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, më 15 prill midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.
Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë. /REL/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...