Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) akuzoi të premten Izraelin për ndalimin e mijëra palestinezëve në vendndodhje sekrete në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, si dhe për keqtrajtimin e tyre, veprime që mund të jenë edhe akte torture.
Duke folur nëpërmjet një lidhjeje videofonike me gazetarët në Gjenevë, përfaqësuesi i OHCHR-së në Territoret e Pushtuara Palestineze, Ajith Sunghay, tha se ka takuar një numër të ndaluarish që ishin liruar, të cilët thanë se janë mbajtur nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, nga 30 deri në 35 ditë.
“Shqyrtimi i plotë i numrave ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, por kemi dëgjuar se arrijnë në mijëra”, tha zoti Sunghay.
“Ata përshkruan se si janë rrahur, poshtëruar, dhe keqtrajtuar, shumë prej të cilave përbëjnë torturë”, shtoi ai. “Ka raportime të burrave që janë liruar më pas – por vetëm me bebelina, pa veshje të përshtatshme në këtë mot të ftohtë”.
Zoti Sunghay gjithashtu tha se të liruarit “raportuan se ishin mbajtur me sytë e lidhur për periudha të gjata – disa prej tyre për disa ditë me radhë”, tha se shumica thanë se “i morën në një moment brenda në Izrael”, megjithëse nuk mund të thonin konkretisht se ku.
Zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani, tha se agjencia e saj ka komunikuar me autoritetet izraelite për akuzat për abuzime.
“I kemi ngritur shqetësimet tona me autoritetet izraelite për keqtrajtimet, të cilat do të ishin torturimi në mënyrë të përsëritur i të ndaluarve në territoret e pushtuara palestineze, përpara dhe pas 7 tetorit. Fatkeqësisht nuk kemi marrë ndonjë përgjigje”, tha ajo.
Zëri i Amerikës kontaktoi misionin izraelit në Gjenevë për një reagim, por nuk mori përgjigje.
Grupi militant Hamas sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, vrau rreth 1200 persona, kryesisht izraelitë dhe mori peng rreth 250 të tjerë. Sulmi brutal shkaktoi një përgjigje të ashpër nga forcat izraelite, të cilat sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, kanë vrarë më shumë se 24 mijë persona – 70% prej tyre gra dhe fëmijë – dhe kanë plagosur të paktën 60 mijë të tjerë.
OHCHR thotë se Izraeli duhet të sigurohet që të gjithë të arrestuarit ose të ndaluarit të trajtohen në përputhje me normat ndërkombëtare dhe standardet e ligjit humanitar dhe që të hetohen të gjitha rastet e abuzimit.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë, UNRWA, vlerëson se 1.7 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit, shumica e tyre të grumbulluar në strehimore të improvizuara dhe të mbipopulluara në Gazën jugore.
Spitalet në situatë të rëndë
Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se vetëm 15 nga 36 spitalet e Gazës janë pjesërisht funksionale dhe se ato që janë të hapura vuajnë nga mungesa ekstreme të barnave, furnizimeve dhe personelit.
“Për shkak të mungesës së qasjes në spitale, 60 mijë gra shtatzëna janë në rrezik që të mos marrin kujdesin e duhur në rast të komplikacioneve”, thuhet në raportin e fundit të OCHA-së, agjencisë së OKB-së për koordinimin e ndihmave humanitare.
Raporti gjithashtu thotë se “qindra raste abortesh dhe lindjesh të parakohshme janë raportuar që nga fillimi i luftimeve”, një vlerësim ky i konfirmuar nga Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF).
Izraeli hedh poshtë kritikat se forcat izraelite të mbrojtjes kanë në objektiv civilët palestinezë me sulmet në spitalet në Gaza.
Në një konferencë shtypi, më 27 tetor, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagai tha se: “Në këtë luftë, të gjitha opsionet janë në tryezë”. Ai tha se “Hamasi i ka kthyer spitalet në qendra komandimi dhe kontrolli dhe strehimi për terroristët dhe komandantët e Hamasit”, si arsyetim për sulmet e mundshme ajrore ndaj spitaleve.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Izraeli bastisi spitalin Al-Shifa më 15 nëntor, ku tha se kishte gjetur në spitalin më të madh të Gazës një qendër komandimi, si dhe armë dhe pajisje luftarake që i përkisnin Hamasit.
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës