Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se sulmet në spitale, ambulanca dhe objekte të tjera të kujdesit shëndetësor në Ukrainë janë shtuar ndjeshëm ditëve të fundit.
Agjencia e OKB-së tha se të paktën nëntë persona kanë vdekur në 16 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.
Ajo nuk tha se kush është përgjegjës për sulmet.
“Ne do të vazhdojmë t’i përditësojmë këto shifra. Ato janë rritur mjaft shpejt gjatë ditëve të fundit”, tha zyrtarja e OBSH-së për urgjenca në Evropë, Catherine Smallwood.
Drejtori për Evropën i OBSH-së, Hans Kluge, tha se organizata po përpiqet ta furnizojë me shpejtësi Ukrainën, ku, siç tha, oksigjeni, insulina, pajisjet mbrojtëse personale, furnizimet kirurgjikale dhe produktet e gjakut po mbarojnë.
Furnizimi me oksigjen, vaksinat e fëmijëve dhe ekspertiza e shëndetit mendor janë ndër prioritetet kryesore të OBSH-së për rajonin, tha Kluge.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë për t’u dhënë përparësi nevojave shëndetësore të grave.
“Konfliktet e kaluara na kanë treguar se vajzat adoleshente, gratë me aftësi të kufizuara dhe gratë e moshuara janë në situatën më të cenueshme”, tha Kluge.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes. /REL/
Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetje ndaj ...
Studim: Jeta në hapësirë nuk dëmton aftësitë mendore të astr...
Në Tuz të Malësisë vendoset busti i Gjergj Kastriotit
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet