Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur të enjten se që nga fillimi i muajit mars në 24 vende të Evropës kanë vdekur rreth 159 mijë më shumë njerëz nga sa pritej zakonisht, një shifër që është ndikuar kryesisht nga vdekjet për shkak të COVID-19.
Të enjten zyrtarja e OBSH-së Katie Smallwood u tha gazetarëve se ndërsa kjo shifër reflekton vdekjet për shkaqe të ndryshme në ato vende, ajo përkon me periudhën gjatë së cilës njerëzit vdisnin në masë si pasojë e COVID-19 në Itali, Francë, Spanjë e Britani.
Zonja Smallwood tha se fakti që ky numër i lartë vdekjesh lidhet me koronavirusin, është një tregues i mirë. Ndërkohë drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha gjatë konferencës se numri i të infektuarve në Evropë ka arritur në më shumë se dy milionë, me një rritje prej 15 për qind gjatë dy javëve të fundit, me Rusinë, Turqinë, Bjellorusinë dhe Britaninë që udhëheqin për nga numri i infeksioneve të reja.
Prej fillimit të pandemisë më shumë se 175 mijë vetë kanë vdekur në Evropë si pasojë e COVID-19. Zonja Smallwood tha se ato vende evropiane që marrin vendime për të lehtësuar kufizimet, duke hapur taverna, diskoteka apo qendra të tjera që krijojnë mundësi për më shumë ndërveprim social, duhet së pari të kenë sisteme të fuqishme të testimit dhe gjurmimit të sëmundjes për të ndihmuar siç th ajo, në mbajtjen nën kontroll të një “vale të dytë” të mundshme të pandemisë./voa/
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...