Më shumë se 100 pacientë, përfshirë fëmijë, do të largohet nga Rripi i Gazës të mërkurën, njoftoi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
OBSH-ja thotë se më pak se 300 pacientë janë evakuuar nga Gaza prej fillimit të majit, kur Izraeli e zgjeroi ofensivën ushtarake në drejtim të jugut dhe e mori nën kontroll pikëkalimin kufitar Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, i cili përdorej për evakuimin e pacientëve.
Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për Territorin e Okupuar Palestinez, tha se pacientët, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë me lëndime traumatike dhe sëmundje kronike, do të largohen përmes pikëkalimit me Izraelin në Kerem Shalom.
Sipas marrëveshjeve me OBSH-në, pacientët do të dërgohen në Emiratet e Bashkuara Arabe nga aeroporti Ramon në jug të Izraelit, ndërsa disa të tjerë do të transferohen në Rumani, shtoi ai.
I pyetur nëse Izraeli e ka aprovuar evakuimin e tyre, ai tha se shpreson se autoritetet izraelite do ta lehtësojnë transferimin e tyre.
Ai tregoi se më shumë se 12.000 pacientë janë në pritje të transferimit, duke shtuar se “ne nuk mund të vazhdojmë kështu më”.
Izraeli nuk e ka komentuar transferimin e pacientëve deri tani.
Palestinezët në Rripin e Gazës janë goditur rëndë nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Lufta u shkaktua kur luftëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Prej atëherë, hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 43.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi./rel/
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...