OBSH kërkon hapjen e pikëkalimit në Rafah për evakuime mjekësore

16:02 | 25 Qershor 2024
E.G

Mbyllja e pikëkalimit në Rafah mes Egjiptit dhe Gazës ka pamundësuar evakuimet mjekësore të së paku 2.000 pacientëve, tha një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje që Rafahu dhe rrugë të tjera të rihapen.

Para mbylljes, “afër 50 pacientë kritikë janë larguar nga Gaza çdo ditë… Do të thotë, që nga 7 maji të paktën 2.000 persona nuk kanë mundur të largohen nga Gaza për të marrë trajtim mjekësor”, tha Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor.

Pikëkalimi në Rafah ishte rruga kryesore për evakuime, por edhe për kalimin e ndihmës humanitare, në fillim të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, ky pikëkalim u mbyll pasi Izraeli nisi një operacion në Rafah në maj.

Javën e kaluar, SHBA-ja, Egjipti dhe Katari zhvilluan bisedime me synim që të rihapet ky pikëkalim dhe të rriten dërgesat me ndihmë humanitare. Por Rafahu, ku Egjipti dëshiron që trupat izraelite të tërhiqen dhe të rivendoset prania palestineze, vazhdon të jetë i mbyllur.

Ndërkaq, ka lëvizje në pikëkalimin e afërt të Kerem Shalomit që kontrollohet nga Izraeli, por sipas Peeperkorn ky pikëkalim është i pasigurt.

Të paktën 10.000 persona kanë nevojë të evakuohen nga Gaza, tha Peeperkorn.

“Na duhen më shumë rrugë për evakuime emergjente mjekësore. Ne duam që Karem Shalom dhe rrugë të tjera të hapen po ashtu për evakuime mjekësore dhe pacientët të mund të dërgohen në spitale në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor”, tha ai.

Lufta në Gazë nisi pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 persona./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme